Shiste sende të vjedhura nga vëllai në Gjermani, arrestohet polici rrugor nga Laçi

Një polic është vënë në pranga pasi shiste sende të vjedhura nga vëllai në Gjermani.

Bëhet fjalë për punonjësin e Policisë Rrugore me iniciale E.I., 32 vjeç, banues në Laç, me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë DVP Lezhë.

Ai akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.

Ky procedim lidhet me një hetim të nisur nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal.

Sipas hetimeve 32 vjeçari ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje guzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje. Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.

Në Landin e Hamburgut u arrestua një grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve, 3 prej autorëve janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.

Të Fundit