Sherret për xhelozi! 37-vjeçarja sot do të largohej nga shtëpia, por u vra nga bashkëjetuesi

Një krim i rëndë ndodhi në lagjen “Skënderbej” në Elbasan në orët e para të së shtunës. Ramis Mici 37 vjeç, masakroi me thikë bashkëjetuesen e tij Jetlira Elezi, 37 vjeçe.

Çifti kishin disa kohë që bashkëjetonin në një shtëpi me qira pasi të dy vinin nga divorce bashkëshortore.

Por duket se edhe mes tyre lidhja nuk funksionoi dhe kishin lindur sherret. Pronarët e banesës treguan se tre ditë më parë aty kishte ardhur policia që kishte shoqëruar 37-vjeçarin për dhunë. Që nga ai moment ata nuk jetonin më bashkë. Burri jetonte në katin e parë ndërsa gruaja në bodrum.

Burime nga Prokuroria e Elbasanit sqaruan se gruaja nuk ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje ndërsa kishte bërë vetëm një kërkesë. Sipas asaj që ka mësuar gazetari Fatos Salliu, sot Jetlira do largohej nga banesa.

Nga martesat e para si Elezi, ashtu edhe Mici kishin edhe fëmijë. Të dy punonin ku të mundnin, Jetlira në një fast food dhe Ramizi merrej me gipse në ndërtim.

Viktima mbante një nga fëmijët e saj, ndërsa fëmijët e Ramisit mbahen nga ish e shoqja e tij. Vajza e viktimës fatmirësisht nuk ka qenë në banesë kur ka ndodhur ngjarja pasi ishte te babai.

Autori ishte nga fshati Selitë në Mollas, ndërsa viktima nga një fshat i Belshit. Shkaku i mosmarrëveshjeve në çift dyshohet të jetë xhelozia. Policia ndërkohë është vënë në ndjekje të autorit i cili u largua fill pasi kreu vrasjen. Uniformat blu thonë se po vijon krehja e zonës për kapjen e tij./tvklan.al

Të Fundit