Sekuestrohet drogë, telefona, para dhe automjete/ Arrestohen tre persona

Një tjetër operacion antidrogë është finalizuar nga policia e Fierit, në kuadër të operacionit të koduar “Kreshpan”.

Mësohet se gjatë këtij operacioni është sekuestruar 13 kg kanabis, 2 automjete, 7 aparate celulare dhe një sasi parash, si dhe janë vënë në pranga tre persona.

Burimet bëjnë të ditur se në pranga kanë rënë shtetasit: E. Y., 35 vjeç, banues në Kreshpan, Fier; S. T., 38 vjeç, banues në Kreshpan, Fier dhe E. S., 27 vjeç, banues në Tiranë;

Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasit E. Y., S. T. dhe E. S. duke shkëmbyer një sasi lënde narkotike kanabis.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi në pronësi të shtetasit E. S., u gjet një sasi prej 5 kg lëndë narkotike kanabis, e cila dyshohet të jetë blerë te shtetasit E. Y dhe S. T.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Y. iu gjetën dhe sekuestruan 1 550 euro dhe 90 000 lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Gjithashtu, nga kontrolli i banesës së shtetasit E. Y., u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 8 kg lëndë narkotike kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

 

Të Fundit