Saimir Tahiri depoziton rekursin, kërkesë Gjykatës për pezullimin e dënimit me burg

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar rekursin në Gjykatë për pezullimin e dënimit me burg.

Sipas Tahirit vendimi i Apelit është marrë në kundërshtim me ligjin.

“Pezulloni vendimin, është kundër interesave të mia! Gjykata nuk ka vepruar drejt sepse më ka dënuar jashtë kompetencave te saj”, thuhet në rekursin e Tahirit.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 26.04.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u depozitua dhe u regjistrua rekursi nr. 79, datë 26.04.2022, paraqitur nga i pandehuri S.T., ndaj vendimit nr. 03, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin u deklaruan fajtorë të pandehurit S.T. dhe J.Ç. për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”, shkruhet në regjistrimin që gjykata i bëri rekursit të Tahirit.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me pesë vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Të Fundit