Ryshfet për një kontratë qiraje, SPAK dërgon në gjyq dy ish-zyrtarët e burgut 313-të.

Ish-drejtori i burgut “Jordan Misja” dhe drejtori i logjistikës janë dërguar për gjykim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për një rast ryshfeti dhe abuzimi me detyrën.

SPAK njoftoi të martën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar si të pandehur ish-drejtorin Eduard Strugajn, ish-shefin e logjistikës Florin Ahmetajn dhe shtetasin Ervin Kurtulla, të cilët akuzohen se i kanë kërkuar dhe marrë 457 mijë lekë ryshfet sipërmarrësit të kafeve me makineta, Ilirjan Paço në këmbim të një kontrate qiraje për të ushtruar aktivitetin në mjediset e paraburgimit.

Në fillim të këtij viti dy zyrtarët i kanë kërkuar Paços 100 mijë lekë, para të cilat ai ia ka dhënë Ervin Kurtullës dhe ky i fundit Ahmetajt dhe Strugajt.

SPAK thotë se dy zyrtarët i kanë kërkuar Kurtullës pagesa mujore shtesë kundrejt kontratës së qirasë dhe ky i fundit ua ka mundësuar ato, për këtë ai është gjithashtu i pandehur në çështjen me Ahmetajn dhe Strugajn.

“Falë këtyre veprimeve u bë e mundur që më 31 mars, mes paraburgimit të përfaqësuar nga Drejtori Strugaj dhe subjektit Kurtulla, të lidhej kontrata e qirasë për shfrytëzimin e ambienteve. Gjithashtu në datat 2 dhe 3 prill, Kurtulla u ka dhënë si përfitime 100 mijë lekët që u kishte marrë Ilirian Paços, me qëllim që ky i fundit të ushtronte aktivitetin,” – thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Dy zyrtarët në fjalë dhe personi i përfshirë në korrupsion do të gjykohen tashmë për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në pjesëmarrjen në tenderë apo ankande publike”.

Të Fundit