Rritja e viktimave nga Covid/ Rama: Masat po neglizhohen, sjellja e disa politikanëve e pajustifikueshme! Mos të detyrohemi të…

Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediat në krah të ministres Manastirliu kërkoi nga qytetarët përgjegjshmëri për respektimin e masave anti-Covid, në një kohë ku numri i infektimeve dhe viktimave është rritur ndjeshëm.

Kreu i qeverisë e konsideroi si të pajustifikueshme dhe të patolerueshme sjelljen e shumë politikanëve karshi rregullave.

“Natyrisht që ne jemi shumë të motivuar që bëjmë gjithçka si duhet në mënyrë që të mos detyrohemi të kthehemi te masat e forta kufizuese”, theksoi ai.

“Në kushtet kur po shohim një rritje të numrave të infektimeve, kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit Covid-19. Kur po rritet infektimi i moshave më të reja, dhe është ulur mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet Covid. Natyrisht që ne jemi shumë të motivuar që bëjmë gjithçka si duhet në mënyrë që të mos detyrohemi të kthehemi te masat e forta kufizuese.

Për këtë duhet motivim i gjithësecilit. Është një moment për përgjegjësi maksimale qytetare nga gjithësecili. Ajo që po konsiderohet si një tjetër valë infektimesh, që u vu re me rritje të numrave në shumë vende të Evropës, po reflektohet edhe këtu. Masat që janë në fuqi janë masa të cilat në këndvështrimin e ekspertëve të Komitetit funksionojnë, por që të funksionojnë si duhet, duhen zbatuar si duhet. Qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe në tërësi autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e masave ka qenë një qasje më shumë sensibilizuese, mirëkuptuese se sa represive.

Por mesa konstatohet në javët e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve, duke filluar nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë, duke vazhduar me zbatimin e rregullave për njësitë tregtare, e natyrisht me ato eksese të patolerueshme në lokale, apo qoftë nga politikanët. Këtu nuk kam parasysh vetëm politikanët e partive të tjera, por edhe partisë që drejtoj, të cilët shkelin rregullat. Duke u mbledhur nëpër salla e nëpër dhoma më shumë se sa personat e përcaktuar si numër nga Komiteti Teknik. Kjo është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme. Të gjitha bashkë bëjnë në tërësi, atë që nuk duket sot si një front i bashkuar përgjegjësish qytetare dhe komunitare në luftën kundër Covid-it”, tha Rama.

Të Fundit