Rritet numri i të infektuarve/ Manastirliu thirrje qytetarëve: Virusi nuk shkon me pushime, ndaj…

Në një kohë që shifrat e infektimeve me koronavirus në vend vijojnë të jenë të larta dhe nuk njohin ulje, e po ashtu situata në spitalet Covid është e rënduar, Ministrja e  Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve sepse sipas saj, virusi nuk ikën me pushime.

Lufta nuk ka mbaruar, virusi nuk shkon me pushime, ndaj kërkohet një angazhim maksimal i të gjithë qytetarëve sepse në fund të ditës kjo luftë kërkon shumë solidaritet dhe sigurisht ne nëpërmjet zinxhirit të solidaritetit do të mund të thyejmë zinxhirin e infektimit që krijon ky virus. Dhe patjetër që kjo bëhet në sajë të bashkëpunimit të qytetarëve dhe strukturave shëndetësore”, apeloi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe kryetari Bashkisë Erion Veliaj  kanë inspektuar nga afër Qendrën e re Shëndetësore në lagjen 14, Kashar.

“Kjo është tashmë një qendër që ofron të gjithë gamën e paketës të kujdesit parësor për komunitetin. Kur themi 300 qendra shëndetësore, themi 300 komunitete që sot marrin shërbime më të mira, në kushte më dinjitoze, mjeket kanë kushte shumë më të mira pune dhe sigurisht që fëmijët tanë kanë sigurinë që trajtohen shumë më mirë dhe me shumë më cilësi”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizon se puna do të vijojë për transformimin e shërbimit parësor, edhe pas rehabilitimin të 300 qendrave.

“Kjo është një punë që do të vazhdojë, nuk përfunduam me 300 qendrat shëndetësore që rehabilituam në të gjithë vendin. Ne do të vijojmë që në fokus të programit tonë dhe në kuadër të strategjisë tonë të kujdesit parësor, infrastruktura e të gjithë qendrave të vijojë, jo vetëm infrastruktura, por edhe paketa e plotë e shërbimeve”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se qendra e re shëndetësore në Kashar do të ofrojë edhe shërbimin e konsultorit për fëmijët e zonës së Astirit në Tiranë.

Të Fundit