Rritet numri i qytetarëve që shkelin masat anti-covid, një pjesë e madhe nuk kanë pranuar të mbajnë maskë.

 

Policia e Shtetit thotë se nga vëzhgimet e kryera në fundjavë është konstatuar një rritje e rasteve abuzuese nga ana e qytetarëve, ku një pjesë e madhe nuk kanë pranuar të mbajnë maskë. Për shkak të kësaj, Policia thotë se ka gjobitur me masë administrative 1710 qytetarë me nga tre mijë lekë të reja.

“Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1710 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse”, raporton policia.

Përveç qytetarëve, ka pasur edhe lokale, të cilat sipas Policisë së Shtetit nuk kanë respektuar masat anti-covid dhe janë gjobitur me nga një milion lekë të reja.

“Shërbimet e Policisë kanë konstatuar 10 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë”, thekson policia.

Gjatë kontrolleve në rrugë, Policia ka hasur në rezistencën e qytetarëve, ku një pjesë nuk kanë pranuar të bashkëpunojmë me efektivët për të treguar mjetet e identifikimit. Pas këtij veprimi, efektivët kanë shoqëruar 12 qytetarë në komisariate dhe pas verifikimit janë gjobitur e më pas janë lënë të lirë.

“12 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë”, thekson policia.

Policia e Shtetit në komunikatën e shpërndarë për mediat raporton se tre subjekte si dhe 38 qytetarë nuk i kanë respektuar masat kufizues nga ora 22:00-06:00 të mëngjesit.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në fundjavë, për zbatimin e masave kufizuese, kanë konstatuar 3 subjekte ku ushtrohej aktiviteti pas orës 22:00. Secili nga subjektet është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë. Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 38 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili”,  thuhet në komunikatë.

Të Fundit