Riten ndjeshëm kërkesat për azil drejt BE/ Shqipëria renditet e dyta në botë. – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Riten ndjeshëm kërkesat për azil drejt BE/ Shqipëria renditet e dyta në botë.

Kërkesat për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian e të tjera europiane u rritën ndjeshëm në shtator, duke arritur në nivelin më të lartë që nga shkurti, përpara se të nisnin kufizimet e udhëtimit të shkaktuara nga Covid-19.

Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), aplikimet totale për azil arritën në 655, me një rritje prej 62% në krahasim me gushtin, duke u përmendur dhe nga EASO si një nga shtetet me rritjen më të lartë mujore në përqindje. Nga aplikimet totale të shtatorit, 63% ishin të reja, ndërsa bie në sy dhe numri i lartë i riaplikimeve (238 gjithsej, ose 27% e totalit). Gjithsesi edhe numri i aplikimeve të reja ishte më i larti që nga fillimi i pandemisë, me shqiptarët që duket se po i gjejnë shtigjet për të ikur, edhe pse zyrtarisht nuk lejohet të udhëtojnë lirisht në BE, që prej marsit, për shkak të kufizimeve në udhëtime nga Covid-19.

Për 9-mujorin, aplikimet për azil arritën gjithsej në gati 5 mijë persona. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ato kanë rënë me 72%, për shkak të situatës së krijuar në mbarë botën nga pandemia e koronavirusit, çka ka bërë që shtetet e Bashkimit Europian të kufizojnë hyrjet e shtetasve jo të BE-së.

E dyta në botë, në raport me popullsinë

 

 

Ndonëse në rënie në raport me vitin e kaluar, aplikimet për azil nga shqiptarët vijojnë të mbeten më të lartat në rajon. Në shtator, kishte 238 aplikime nga Kosova, nga Serbia 2012, nga Bosnja 141 nga Maqedonia e Veriut 79 dhe nga mali i Zi vetëm 10.

Në raport me popullsitë përkatëse, Shqipëria vijon të mbetet e dyta në botë në aplikimet për azil në shtator, me 23 aplikime për 100 mijë banorë, pas Sirisë, që ka 37 aplikime për 100 mijë banorë. Pas Shqipërisë renditet Gjeorgjia, me 20 aplikime për 100 mijë banorë. Më pas vjen Afganistani (13.2), ndërsa renditja vazhdon me Kosovën, që është e dyta në Ballkan me tendencën më të lartë për të ikur në BE.

Ndonëse shqiptarët vijojnë të ngulin këmbë, duke kërkuar azil në BE, ata kanë refuzime shumë të larta. Sipas EASO, gati 99% e vendimeve në shtator, ishin negative.

Aplikimet për azil në BE

Bllokimet e pjesshme, ndalimet e udhëtimit dhe masa të tjera parandaluese shëndetësore vazhdojnë të zvogëlojnë lëvizjen e azilkërkuesve në përgjithësi dhe nivelin e aplikimeve për azil në BE+, shkruan EASO.

Në shtator kishte pothuajse 42 800 aplikime për azil, me rritje 7% nga gushti, por në përgjithësi, aplikimet mujore mbetën në afërsisht dy të tretat e niveleve para-COVID-19 (Janar dhe Shkurt).

Sirianët, Afganët, Kolumbianët, Venezuelasit dhe Pakistanezët paraqitën më së shumti aplikime (pak më shumë se dy të pestat e të gjitha aplikacioneve në BE +).

Midis 30 shtetësive me më shumë kërkesa, kolumbianët dhe peruanët ishin të vetmit që kërkuan azil kohët e fundit më shpesh sesa në vitin 2019.

Përqindja e riaplikimeve (11%) ishte edhe më e lartë se para shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Pak më shumë se 48,000 vendime të shkallës së parë u lëshuan në shtator në BE +, një rritje prej 11% krahasuar me gushtin e vitit 2020. Kolumbianët, Sirianët, Venezuelasit, Afganët dhe Irakenët morën më shumë vendime dhe më shumë se në gusht 2020./Monitor

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *