Rekord infektimesh në Evropë, OBSH: Vaksinat nuk ndalin pandeminë, nevojë për masa të tjera

Evropa regjistroi së fundmi rritjen më të lartë javore të rasteve me COVID që nga nisja e pandemisë. Kështu vlerësoi Organizata Botërore e Shëndetësisë në konferencën e rregullt të saj të mbajtur në Gjenevë të Zvicrës.

Sipas të dhënave të organizatës, rreth 2 milionë raste të reja të konfirmuara u raportuan në Evropë gjatë periudhës 1 deri më 7 nëntor, një rekord ky që nga përhapja e epidemisë.

Gjithashtu në kontinentin e vjetër ka pasur 27 mijë vdekje të reja si pasojë e virusit, që përbëjnë më shumë se gjysmën e vdekjeve të reja të regjistruara në mbarë botën gjatë së njëjtës periudhë.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se disa vende evropiane po rikthejnë masat kufizuese për të ndalur përhapjen e virusit dhe për të reduktuar presionin ndaj sistemeve të tyre shëndetësore.

Gjithashtu, sipas numrit 1 të OBSH-së, rastet janë rritur edhe në ato vende ku kuotat e vaksinimit kanë arritur nivele të larta, gjë që tregon se vaksinat nuk mund të parandalojnë plotësisht përhapjen e virusit. Për këtë arsye, organizata rekomandon që shtetet të marrin masa bazuar në gjendjen e tyre aktuale.

Sipas të dhënave të fundit të OBSH-së, numri total i të prekurve nga COVID-19 nëpër botë po i afrohet kuotës së 251 milionë e 788 mijë, ndërsa ai i vdekjeve mbi 5 milionë e 77 mijë.

Të Fundit