Rama: Turistët gjejnë një realitet ndryshe në Shqipëri. Ballkani zonë gri

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Spanjë, ka dhënë një intervistë për Radio Televizionin RTVE ku ka folur për disa çështje të rëndësishme. Kosova, e cila nuk njihet nga Spanja, sigurisht që ishte një prej temave.

Rama tha se e dimë mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka të bëjë me ndonjë problem me shqiptarët apo me Kosovën, por me historinë dhe problemet e saj të brendshme.

Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Dakord, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Ndërkohë se si po ecën Ballkani Perëndimor në rrugën drejt integrimit, Rama ka thënë se vendet e Ballkanit kanë ende shumë punë për të bërë por kanë nevojë të hedhin hapa përpara në procesin integrues drejt BE-së.

Sa i përket perceptimit që kanë evropianët për shqiptarët dhe ballkanasit në përgjithësi Rama tha se ka gjithnjë e më shumë turistë që vijnë në Shqipëri, të cilët e shohin se vendi është shumë më ndryshe nga çfarë e kishin perceptuar atë më parë.

Ne jemi vende që kemi shumë për të bërë për të plotësuar kushtet për tu bërë anëtarë të Bashkimit por kemi nevojë që të hedhim hapa për të vijuar me procesin e integrimit. Ne kemi shumë punë për të bërë dhe jemi ende në mes të rrugës. Por mund të them se tashmë nuk flitet më për çfarë duhet të bëjmë ne, por për mënyrën si kanë vendosur të punojnë ata me ne dhe në rajon.

I pyetur se një nga shqetësimet e Bashkimit Evropian sa i përket Ballkanit Perëndimor është influenca si e Rusisë ashtu dhe e Kinës, në këtë rajon, Rama tha se Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufij evropianë, duke shtuar se jemi një organ i trupit të Evropës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup.

Diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre. Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e lirë.

Të Fundit