Rama: Qendra kombëtare për mbrojtjen kibernetike, do ofrojë shërbim edhe përtej kufijve të Shqipërisë

Shqipëria ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë amerikane “Jones International”, për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij foli për një sfidë në këtë fushë, që ai e cilësoi si të jashtëzakonshme.

Rama tha se do të ngrihet një qendër e madhe kombëtare për mbrojtjen kibernetike në Shqipëri, e cila sipas tij, do të jetë në shërbim të ushtrisë sonë.

Ne vlerësojmë shumë këtë mundësi bashkëpunimi me ju për të adresuar dhe sfidën e madhe të ngritjes së një qendre të madhe të mbrojtjes kibernetike, që të jetë në shërbim të ushtrisë sonë, por edhe të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me pjesën civile të shoqërisë. Është një sfidë e jashtëzakonshme, por ne jemi të bindur që duke pasur dhe ndihmën, mbështetjen, e kurajon tuaj për të mos pasur frikë, ne do ja dalim të kemi një qendër kombëtare sigurie, që të jetë një vlerë e shtuar për NATO, duke dhënë shërbime dhe përtej kufijve të Shqipërisë”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit:

Po firmosim një marrëveshje që hap rrugën e një bashkëpunimi intensiv për të ngritur në një nivel tjetër kapacitete digjitale dhe sistemin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Ne jemi shumë të nderuar që këtë gjë do ta bëjmë me grupin tuaj, i cili është i mirënjohur për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në rritjen e sistemit të sigurisë, qoftë në SHBA, qoftë në vendet e tjera, por dua t’iu them se është kënaqësi e veçantë që ne të kemi mundësinë të bashkëpunojmë me ju personalisht, duke shfrytëzuar të gjithë eksperiencën dhe dashamirësinë tuaj ndaj vendit tonë dhe duke pasur parasysh se projekti ynë është ambicioz, gjë që prania juaj na e lehtëson dhe na rrit besimin se ne mund t’ia dalim.

Këtu nuk është thjesht çështja për të ndërtuar një sërë sistemesh sigurie, por për të ndërtuar një sistem tërësor sigurie, i cili të ketë mundësi të ofrojë një vlerë të shtuar edhe për NATO. Në kohën që jetojmë avantazhi apo shansi i vendeve më pak të zhvilluara është i panjohur në histori, i paparë dhe padëgjuar në histori falë teknologjisë. Moszhvillimi i mjaftueshëm kthehet në avantash dhe teknologjia kthehet në shans për të bërë kapërcime të jashtëzakonshme. Ne kemi mundësuar që këtë vit të bëjmë një ndërhyrje radikale në sistem, duke mbyllur të gjtha sportelet fizike, për t’iu ofruar qytetarëve të gjitha shërbimet pa dalë nga shtëpia, pa mbajtur radhë, për të marrë shërbimet e tyre, si dhe për të pasur një bazë të dhënash të këtyre shërbimesh tërësisht të garantuara.

Ne sot jemi në një fazë të re marrëdhënies me SHBA dhe NATO, kemi disa investime të rëndësishme në infrastrukturën kritike dhe në aspektin strategjik, ku hyjnë dhe investimet në fushën e mbrojtjes. Në këtë aspekt ne vlerësojmë shumë këtë mundësi bashkëpunimi me ju për të adresuar dhe sfidën e madhe të ngritjes së një qendre të madhe të mbrojtjes kibernetike, që të jetë në shërbim të ushtrisë sonë, por edhe të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me pjesën civile të shoqërisë. Është një sfidë e jashtëzakonshme, por ne jemi të bindur që duke pasur dhe ndihmën, mbështetjen, e kurajon tuaj për të mos pasur frikë, ne do ja dalim të kemi një qendër kombëtare sigurie, që të jetë një vlerë e shtuar për NATO, duke dhënë shërbime dhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Të Fundit