Rama: Prona e bashkëshortit të Xhaçkës private, qeveria nuk ka dhënë asgjë!

Në konferencën me gazetarët këtë të premte, Kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje edhe akuzave të opozitës, që kërkon heqjen e mandatit të ministres Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj mori statusin e investitorit strategjik. Kryeministri ishte i qartë kur tha se ai është nga ata që mbështet investitorët shqiptarë dhe se në rastin konkret bëhet fjalë për një pronë private, që si çdo shqiptar tjetër ka marrë në shfrytëzim një pjesë të plazhit.

“Kjo e të afërmve me qeverinë është një këngë që e kam dëgjuar gjithë jetën dhe e di që as nuk do ndalet e as nuk e ndryshoj dot. Kështu që nuk kam se çfarë përgjigje t’i jap kësaj. Sepse dëgjoj lloj-lloj broçkullash, sërish që janë të imagjinuara. Do doja që të kishte edhe më shumë investitorë shqiptarë… Në gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ka me mijëra subjekte të cilat marrin në shfrytëzim një pjesë plazhi si rezultat i disponimit të një prone private edhe një nga këto mijëra subjekte, është edhe subjekti në fjalë. Çfarë duhet të bëhet në këtë rast, duhet thënë që meqë subjekti në fjalë, është i përbërë nga disa komponentë, mes të cilave që është bashkëshorti i ministres, që ka një pronë private, çfarë duhet thënë se që nuk duhet të përdorë pronën private. Këtu ka ndodhur ajo që ndodh në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, që kanë pronën, vilën, hotelin e tyre dhe që marrin në shfrytëzim pjesën përkatëse të plazhit përballë pronës së tyre private, sepse si në të gjithë botën ku ekziston prona private, shteti ndjek këtë praktikë që plazhi të mirëmbahet, të pastrohet”.

Rama theksoi se në rastin e bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka, “qeveria nuk ka dhënë asgjë, qeveria thjeshtë nuk ka shkelur një të drejtë që buron nga ligji dhe e drejta e pronës private. Ajo që kam kërkuar tani është që ta heqim fare këtë pjesë, të futjes së qeverisë në këtë mes, që janë llafe të fukarallëkut mendor që prodhon maskarallëk”.

Të Fundit