Rama projekt për sportin, presidenti i federatës: Kemi më pak të drejta se LGBT

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një takim me Komitetin Olimpik dhe federatat shqiptare për programin e ri të sportit në shkolla e universitete.

Rama premtoi se në 2022 do të ketë një plan të qartë për një lëvizje të madhe sportive. “Do kemi program për lëvizjen sportive në shkolla dhe universitete duke nisur që nga viti i ardhshëm. Buxheti është 5 milionë dollarë. Është koha për të krijuar skuadra sportive me kalendar kampionatesh në nivel lokal dhe kombëtar. Kampionate që do të jenë baza për evidentimin e talenteve.u shpreh Rama.

Por ky prezantim u shoqërua edhe me replika. Ka qenë Presidenti i Federatës së Kikboksit, Arbis Vjerdha, i cili  u shpreh se komuniteti i sportit gëzon pak të drejta në vitet e fundit dhe për momentin nuk po iu afrohej asnjë zgjidhje. Sipas tij sporti sot në Shqipëri gëzon më pak të drejta se komunitetet fetare dhe madje dhe shoqatat LGTB.

Vjerdha tha se programi i prezantuar ishte i  zhvilluar, por implementimi i tij i duket i vështirë pasi nuk ka asnjë gjë konkrete.

“Kemi 8 vite që nuk shihemi se për herë të fundit isha te Konventa e famshme të cilës më shumë ia pashë sherrin se hajrin. Të gjithë këto burra këtu, pak a shumë jemi drejtues të një komuniteti se janë të regjistruar diku te 25 mijë sportistë. Sikur të kenë një nënë, një baba, e një vëlla a motër, bëjnë 100 mijë vetë. 100 mijë vetë bëjnë 10 deputetë zoti kryeministër por ne gëzojmë më pak të drejta se komunitetet fetare, më pak të drejta se shoqatat e LGBT-së, më pak të drejta se çdokush. Ne me mundësitë tona kemi nderuar flamurin shqiptar.

Po dëgjoja një program pak a shumë si ishte para 8 viteve, më i zhvilluar, u kënaqa shumë, por implementimi duket i vështirë pasi nuk ka asnjë gjë konkrete. Çdo sportist jep vitet më të mira të tij, vitet më të bukura të jetës për të nderuar flamurin shqiptar dhe në fund të karrierë gjendet pa asnjë lloj pune e të ardhurash sociale. Siç e thatë, sektori shtetëror është i vetmi ku mund të punësohen sportistët që nuk kanë bërë një gjë tjetër në jetën e tyre. Kam para kolegë që vazhdojnë të jenë në sport, e kur të mbarojë sporti, do të mbeten si peshku pa ujë nëse vazhdojnë këtë rrugëtim.

I kam sjellë 14 vite medalje Shqipërisë në kikboks, por nuk kam marrë asnjë lek nga fondi grant. Nuk dua të vë gishtin përse, se fajin duhet ta gjejnë drejtuesit. Por jam shumë i preokupuar se unë si Arbis, në moshën 45-vjeçare, jam në të njëjtat kondita si në 2013 kur bërë një artikull për mua, jam drejt rrugës të të njëjtës histori kur kishim të vetmin kampion olimpik, Ymer Pampurin, dhe vdiq duke qenë roje parkingu. Jam sot unë, do jetë Izmiri, do jetë Calja në të njëjtat kushte, do jetë Qerimaj. Nuk kam ardhur për oponencë, kam ardhur ti them ato që them në çdo mbledhje në KOKSH dhe më jepet rasti t’ia them zotit kryeministër dhe shpresoj të kem një lloj mbështetje”, ishin fjalët e Vjerdhës në sallë.

Të Fundit