Rama: Për pak ditë nis rimbursimi i barnave për të gjithë të sëmurët me COVID. Do 2-fishojmë ndihmën ekonomike

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvendit, ku sot pritet të votohet buxheti i vitit 2021, e vlerësoi këtë buxhet si më të madhin për shëndetësinë në 30 vite. Kreu i qeverisë tha se në këtë buxhet për shëndetësinë parashikohen masa të reja që do të qëndrojnë aty përtej vitit 2021 dhe të tjera që lidhen posaçërisht me situatën nga pandemia e COVID-19.

Z. Rama tha se për pak ditë do të nisë mbështetja financiare për recetën bazë të barnave ndaj COVID-19 dhe më tej rimbursimi për të gjithë të prekurit nga virusi që kurohen në kushte shtëpie.

“Dua të plotësoj kërkesën këmbëngulëse komitetit të ekspertëve që t’u them qytetarëve se duhet t’i referohen besnikërisht mjekut të familje dhe të gjitha këshillave që marrin nga urgjenca kombëtare e të mos marrin ilaçe e të mos shpenzojnë për të bërë dëm në shëndetin e tyre.

Ky është një fenomen që po ndodh edhe në vendet e tjera. Edhe në Itali vërehet fenomen i marrjes së medikamenteve që nuk ndihmojnë dh që më shumë dëmtojnë të prekurit nga COVID.

Këtu hyjnë spekulantët, ankthi i familjes, pasiguria e të prekurit që nxitet të bëj maksimumin me idenë që ato ilaçe bazë të recetës bazë të dhëna nga sistemi ynë bazë nuk mjaftojnë.

Në fakt, është këmbëngulja e përditshme e komitetit të ekspertëve që kërkojnë të mos bien pre e spekulantëve dhe të mos i marrin këshillat me telefon apo nga mjekë që nuk janë të autorizuar si mjekët e familjes.

Në buxhetin e 2021 do të vazhdojmë mbështetje me financë të recetës bazë dhe futjen në skemë për t’u rimbursuar të të gjitha medikamenteve në funksion të të gjithë të prekurve nga COVID.

Gjithashtu, do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për periudhën ku do të na duhet të përballemi me pandeminë”, tha kreu i qeverisë.

Gjithashtu, kryeministri bëri me dije se qeveria shqiptare ka paguar kaparin për të blerë vaksinën anti-COVID sapo ajo të dalë në treg, ndërsa sqaroi se janë në bisedime të vazhdueshme me BE për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë.

“Kjo, duke pasur parasysh se sasitë e vaksinës që do të hidhen fillimisht në treg nuk do të jenë menjëherë të mjaftueshme për të mbuluar gjithë popullsinë.

Ne do nisim vaksinimin falas për shtresat vulnerabël e më tej për ta shtrirë po falas tek të gjitha shtresat e popullsisë”, tha kreu i qeverisë.

Të Fundit