Rama: Një 16-vjeçare prej 5 vitesh punon për kompanitë e huaja nga shtëpia, programi në shkolla vitin tjetër

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga viti i ardhshëm do nisë të vihet në zbatim plani i qeverisë për të futur në klasat e informatikës leksionet përmes ekranit me profesionistët më të mirë të fushës. Kjo tha Rama, do ndihmojë jo vetëm nxënësit por edhe mësuesit që do mbikëqyrin këtë orë mësimore në ambientet e shkollës.

Rama deklaroi se kjo do të prodhojë më shumë kodues të cilët do futen në tregun ndërkombëtar duke punuar nga shtëpia. Ai përmendi rastin e një vajze 16-vjeçare në Durrës, e cila sipas tij, prej 5 vitesh punon për kompanitë e huaja në Poloni apo Gjermani.

‘Po përgatisim programe të veçanta si do përfshihen artet, sportet dhe zejet në jetën e përditshme të nxënësve. Kemi vendosur edhe një financim jo të vogël për laboratorët. Është fakt që pavarësisht se mund të jenë ndërtuar shumë laboratorë, mjetet e përdorura në laboratorë janë ose mjete modeste ose mungojnë fare. Është e vërtetë ajo që u tha këtu që duhet bërë më shumë për teknologjinë. Jemi të vetëdijshëm që boshllëku është i konsiderueshëm.

Edhe në Shqipëri pavarësisht se nuk pasur sistem të organizuar dhe mbështetje për ata që janë futur në këtë rrugë ka jo pak të rinj që sot punojnë në tregjet ndërkombëtare duke qëndruar në shtëpi. Në një konsultë në Durrës, një vajzë 16-vjeç na tregoi që kishte 5 vjet që punonte për Poloninë, Gjermaninë nga shtëpia me kompjuterin e vet. Që në moshën 11-vjeç. Kjo nuk është e jashtëzakonshme. Këtu është një potencial i jashtëzakonshëm për të rritur punësimin cilësor të të rinjve. Për t’u dhënë mundësi që të kenë paga përtej çdo limiti të kushtëzuar nga pagat. Ne do bëjmë një investim edhe për mësimin e informatikës.

Sot nuk është e nevojshme të jemi në një hapësirë për të shkëmbyer dijen apo për të marrë informacion. Po përgatisim një sistem me mësuesit më të mirë të mundshëm që do japin mësim pa qenë e nevojshme të jenë prezent fizikisht duke bërë që jo vetëm nxënësit të marrin cilësinë më të mirë të mësimit po edhe mësuesit që janë në klasë të rrisin kapacitetin. Këto do fillojnë të vihen në zbatim nga viti i ardhshëm shkollor sepse kërkojnë përgatitje”, tha Rama.

Ai deklaroi se qeveria po harton një program të posaçëm për artet, sportet dhe zejet në shkolla

“Ajo që ne po bëjmë është se po përgatisim një program të detajuar për artet, zejet dhe sportet në shkollë që nuk është thjesht platformë me orientime për shkollat, por do të jenë të përcaktuara, edhe hapësirat. Jo thjesht shkolla. Shkolla qendër komunitare nuk mund të përdorësh vetëm muret dhe klasat. Duhet të ketë diçka më shumë se kaq”, u shpreh kryeministri.

Të Fundit