Rama: Nëse BE ka plan për krizën energjetike, mos na lërë jashtë si me vaksinat

Në një konferencë për mediat me shefin e politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell, kryeministri Edi Rama tha se ka diskutuar me të për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në skemën e ndihmës për krizën energjetike dhe pasojat e tjera të luftës.

Rama nënvizoi se nuk duhet të veprohet njësoj si me skemën e vaksinave. Po ashtu ai foli edhe për projektin e korridorit të tetë që sipas kreut të qeverisë në këto kushte bëhet edhe më strategjik.

“Do vazhdojmë të njëjta punë që kemi bërë dhe na afrojnë më shumë me standardin e BE. Fola edhe për domosdoshmërinë që nëse BE do të ketë një plan për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike që është pjesa më e rëndë e krizës dhe pasojave të tjera të luftës të mos e lënë Ballkanin Perëndimor jashtë si e lanë me skemën e vaksinave.

Të nxitohet projekti i koridorit të tetë. Tani në këto kushte të reja bëhet edhe më strategjik në aspektin e një koridori sigurie. Këto ishin temat. Dua ta falenderoj mikun tonë sepse është një mik më shumë i këtij rajoni dhe është një avokat që Meriton respektin tonë për aq sa bën që të përshpejtojë këto procese që kanë nevojë për zërat dhe njerëzit e duhur”, u shpreh Rama.

Të Fundit