Rama: Në shkolla do kultivohen perime, nxënësit të kenë kontakt me tokën

Kryeministri Edi Rama, inspektoi sot dy shkolla në Tiranë, në Njësisë 9 dhe në Njësisë 11, përkatësisht në shkollën 9-vjeçare “Vaçe Zela” dhe gjimnazin “Kristo Frashëri”.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se nga viti i ardhshëm, në shkolla do të ketë programe sportive, që do kryhen në bashkëpunim me komitetin olimpik, teksa theksoi se do të ketë edhe parcela bujqësore, për t’i dhënë mundësi fëmijëve të kenë kontakt me tokën.

Nga viti i ardhshëm, do fusim programin e arteve dhe zejeve për të formësuar rrethet e tyre artistike, të artit, muzikës, pikturës apo punës me dorë, gjë që do e bëjmë në nivele, një që do jetë niveli i përgjithshëm dhe niveli tjetër që do jetë më i sofistikuar për ata që janë më të talentuar. Projekti tjetër është ai që ka të bëjë me teknologjinë. Po punojmë për sistem të ri teknologjik. Nuk mjaftojnë laboratorët, duhet t’i furnizojmë ata me kompjuterë. Në shumë shkolla mësimi i informatikës bëhet nga mësues të lëndëve të tjera, jo të diplomuar në informatikë, këtë ne duam ta ndryshojmë. Projekti tjetër është ai i sportit. Nga viti ardhshëm, në bashkëpunim me komitetin olimpik shqiptar do organizojmë lëvizjen sportive në shkolla duke i dhënë mundësi vajzave e djemve që kanë dëshirë të organizohen në këtë lëvizje të organizojnë skuadrat e tyre, më pas çdo shkollë të ketë skuadrat e veta dhe pastaj çdo bashki të ketë kampionatin e vet dhe pastaj të ketë dhe kampionate kombëtare. Brenda këtij mandati do kemi ndryshime të rëndësishme. Gjithë këto hapësira rreth e rrotull dhe brenda mureve të brendshëm të këtij kompleksi nuk mund të jenë thjesht hapësira me bar. Një pjesë e tyre hapësirë do jetë për kultivimin e perimeve, dhënien mundësi të nxënësve të kenë dijeni fillestare për tokën, për vlerat e saj dhe të krijojnë edhe modestish sipërmarrjen bujqësore të shkollës me ato produkte që do të nxjerrin nga shkolla, jo për të bërë biznes por për të mësuar. Do të ishte një laborator natyror fantastik dhe përveç jetesës së fëmijëve me mrrokllat në duar të kenë edhe kontakt me tokën“,-tha Rama.

Të Fundit