Rama kritikon kryebashkiakët: Akumuloni borxhe, të prapambetur në dixhitalizim

Kryeministri Edi Rama është shprehur i ashpër me kryebashkiakët e vendit, teksa i ka thirrur në një mbledhje. Ai i ka paralajmëruar për masa shtrënguese për detyrimet e prapambetura.

Kryeministri tha se bashkitë akumulojnë borxhet dhe probleme që t’ua zgjidhë qeveria. Po ashtu Rama tha se bashkitë janë shumë të prapambetura me dixhitalizimin e shërbimeve.

“Është e pamundur që ne akoma sot në nivel bashkiak, që nga Tirana, që është kryesorja, e deri te bashkia e fundit, nuk kemi asnjë aktivitet ekonomik të pavarur që prodhon të ardhura. Duke filluar nga ndërtimi. Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe të krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim

Në të gjitha këto, kemi mundësi të shikojmë që nuk po flasim për gjëra që janë të pabëshme. Pse duhet të jetë qeveria kampione në dixhitalizimin e shërbimeve, pse të mos jenë bashkitë? Në të gjithë botën ndodh e kundërta. Këtu qeveria qendrore ka bërë një revolucion me shërbimet. Ka kuptim që shërbimet publike, vazhdojnë të jepen me letra. Ka kuptim që bashkitë të jenë të prapambetura.

Pse duhet që qeveria ta ketë nivelin e përgjigjeve mbi 90% dhe bashkitë nën 30%. Çfarë ndodh? Sot nuk jemi në vitin zero. Ju jeni njerëz që keni parë botë me sy. Është e pamundur të vazhdojë kjo histori. Borxhet i akumulojmë dhe i lëmë në derë të qeverisë. Problemet i akumulojmë. Projektet i kufizojmë të gjitha në projekte që financohen vetëm nga buxheti dhe nuk dalim jashtë këtij rrethi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë iu drejtua kryebashkiakëve duke iu thënë se nuk ndërtojnë banesa sociale.

“Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim, por njëkohësisht të fitojnë para për buxhetin e tyre.

Më thoni një bashki që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri? Nuk ka! Nuk mundet qeveria të jetë përgjigja për çdo nevojë, dhe s’ka pse oportunitete që janë për tu shfrytëzuar të mos shfrytëzohen në sektorin bashkiak, nuk ka arsye!

Rolin e zhvilluesit e luajnë shumë investitor që s’kanë fare kompani ndërtimi, dhe marrin kompanitë e ndërtimit dhe zhvillojnë pronat, pse mos ta bëjnë bashkitë këtë? Çfarë i pengon? Dhe ndërkohë me një gur vrasin dy zogj. Krijojnë oportunitete të reja për të pastrehët e tyre dhe nuk rrinë të presin nga enti i banesave ne Tiranë, dhe nga ana tjetër shesin për të mbledhur të ardhura. Pse mos bëhet kjo? Urdhëroni, jeni këtu, mi thoni?”, u shpreh Rama.

Të Fundit