Rama: Erdogan e mban fjalën, do e kisha humbur bastin për spitalin e Fierit

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk, Erdogan kanë nisur konferencën për media pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Gjatë fjalës së tij kryeministri i Shqipërisë falënderoi Erdogan për mbështetjen e dhënë dhe rindërtimin e 522 banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Sot është një ditë e rëndësishme për ne dhe patjetër dhe një ditë e bukur, siç është çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj. Sot është një ditë shumë e veçantë sepse kemi qenë së bashku në kurorëzimin e një përpjekje të jashtëzakonshme miqësore, dashamirëse, për të mbështetur rilindjen e një komuniteti aty ku tërmeti goditi shumë fort dhe ku sot 522 familje janë në kushte shumë më të mira se ato që kishin para tërmetit. Dua ta falënderoj presidentin që u gjend pranë nesh që në sekondën e parë pas goditjes së tërmetit, që u angazhua publikisht i pari dhe me një angazhim shumë konkret dhe që e mbajti fjalën, por kjo e fundit nuk është lajm për Erdogan, pasi ai atë që e thotë e bën. Dua t’i falënderoj të gjithë, nga ministri Murat te kompania e punëtorët se pse ndërtuan një shembull shumë domethënës për vlerën dhe thellësinë e marrëdhënies shqiptaro-turke”.

Më tej, Rama bëri të ditur edhe disa nga marrëveshjet e firmosura gjatë ditës së sotme. Kreu i qeverisë foli për bashkëpunim ne disa fusha si shëndetësi, në tregëti, ekonomi, turizëm etj.

“Një vit më parë kemi firmosur një sërë marrëveshjesh dhe një deklaratë për një këshill të nivelit të lartë, sot ne kemi një vit nismash konkrete dhe realizimesh konkrete që dëshmojnë vlerën e shtuar të këtij këshilli dhe dëshmojnë se takimi i Ankarasë ishte çelja e një kapitulli të ri marrëdhëniesh.

Nëse do e kisha vënë bastin për spitalin e Fierit do e kisha humbur. Sot, ne kemi një spital që është jo vetëm një strukturë e re, por është edhe një pikë transferimi e dijes, ku ne po zhvillojmë fazën e re të reformës në shëndetësisë. Ëndrra jonë është që shërbimin shëndetësor të marrë çdo ditë e më shumë trajtat e shërbimit shëndetësor turk. Deri dje kjo mund të dukej e pamundur, por sot askujt nuk i duket e pamundur për sa kohë ne kemi mbështetjen e Erdogan dhe Turqisë. Dua të them se lajmi i mirë është se tanimë, ashtu si u diskutua një vit më parë, është realitet futja e gjuhës shqipe me përzgjedhje në të gjithë arsimin turk, është realitet projekti i monitorimit të rrugëve të Shqipërisë me kamera inteligjente, është realitet projektligji për parqet e reja teknologjia. Jemi duke bashkëpunuar për të rritur kapacitetet e inteligjencës në fushën e të ardhurave doganore dhe tatimore dhe patjetër do të bëjmë çmos për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit. Ne nuk jemi xheloz për fqinjët, por si na vjen kur miliona turistë nga Turqia shkojnë në vendet fqinje në rajon, ndërsa numri i turistëve turq nuk përputhet me marrëdhëniet tona. Me mbështetjen e një ministri të spikatur në Turqi, i cili është angazhuar se do të punojë me ministret tona, ne do ta ndryshojmë këtë trend”, tha Rama.

Të Fundit