Qeveria po bëhet gati të “marrë 148 milionë dollarë të tjera nga xhepat e shqiptarëve”,Basha: SPAK po inkurajon vjedhjet .

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) se duke mos-vepruar ndaj abuzimeve me koncesionet dhe paratë publike po inkurajon “vjedhjet”.

Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, mbajtur mesditën e së mërkurës, Basha u bëri thirrje të gjithë sipërmarrësve që synojnë, apo po hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me qeverinë që “të kenë kujdes”, pasi nëse demokratëve do t’u jepet mundësia për të qeverisur vendin pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ata do të shqyrtojnë me rreptësi çdo kontratë.

“Çdo qindarkë që kjo bandë e babëzitur ka grabitur do t’u merret e do t’u rikthehet shqiptarëve, i bëj thirrje çdokujt që ka ndërmend të hyjë në një marrëdhënie kontraktuale me shtetin në katër muajt e fundit të pushtetit, të ketë kujdes,” – apeloi më tej kryetari i PD-së.

“Zotërinj të SPAK, kur ju nuk hetoni, por mbroni, të korruptuarit, ju inkurajoni vijimin e plaçkitjes së shqiptarëve,” – u shpreh Basha.

Ndërsa e cilësoi buxhetin e vitit të ardhshëm si “më të papërgjegjshmin e 30 viteve të fundit” Basha akuzoi qeverinë se “ka gatuar tre afera korruptive me mbi 400 milionë euro”.

Kryetari i PD-së tha se 120 milionë euro nga buxheti i ardhshëm do të shkojnë për koncesionet ndërkohë që sipas tij “mijëra biznese vuajnë nga kriza ekonomike e diktuar nga pandemia dhe pasojat e tërmetit” dhe “mijëra familje janë ende të pastrehë”.

“Pagesat e koncesioneve korruptive janë sa 6-fishi i indeksimit të pensioneve, vetëm për inceneratorin e Tiranës vitin e ardhshëm pagesat do të rriten nga 7 në 11 milionë euro, ndërsa gjendja e inceneratorit të Elbasanit i ngjan një burgu mafioz,” – u shpreh Basha teksa ngriti pretendimet se qeveria po bëhet gati të “marrë 148 milionë dollarë të tjera nga xhepat e shqiptarëve”.

Të Fundit