Qeveria në borxh me bebet për shpërblimin e lindjes, detyrimet arrijnë 2.3 milionë euro.

Deri në qershor të këtij viti qeveria kishte ende rreth 293 milionë lekë apo rreth 2.3 milionë euro detyrime të pashlyera në zërin e shpërblimeve të lindjes. Ky zë përfshin 5000 lekëshin që duhet të kishin përfituar bebet e lindura në të gjithë vendin sipas skemës së vjetër dhe që ende nuk ju është dhënë familjarëve pavarësisht se fëmijët janë regjistruar. Të dhënat zyrtare tregojnë se Ministria e Brendshme ka raportuar një borxh total të sajin prej 713 milionë lekë nga të cilat më pak se 1/3 është pikërisht pjesa e shpërblimeve të lindjes të pashpërndara

Ky shpërblim u jepet prindërve në momentin që regjistrojnë të sapolindurit në zyrën e gjendjes civile. “Stoku i detyrimeve deri në Qershor 2019 është në vlerën 713.5 milion lekë. Detyrimet e reja të krijuara në periudhën Prill-Qershor 2019 janë në vlerën 90.8 milion lekë, ndërkohë që stoku i mbartur është 622.7 milion lekë. Pjesën më të madhe të detyrimeve MB e ka për: Detyrime të “Gjendjes civile” për shpërblimin e munguar të lindjeve në masën prej 293 milion lekë; Detyrime për vendime gjyqësore rezultojnë rreth 304 milion lekë, të mbartura për ish-punonjës të larguar kryesisht IKMT; Detyrime për shpenzime udhëtimi, mbikohë pune, uniforma dhe shpenzime parkimi “thuhet në raportimin e Ministrisë së Brendshme.

Skema e shpërblimit të lindjes për fëmijët prej vitesh njeh zvarritje të vazhdueshme ku për vite të tëra familjet nuk arrijnë të marrin vlerën prej 5000 lekësh që ua caktonte ligji edhe pse kanë përmbushur detyrimet me pjesën e procedurave. Teksa marrja e kësaj shifre është një epope më vete, qeveria një vit më parë miratoi një tjetër skemë lidhur me “bonusin e bebes”. Kjo skemë parashikon ndihmë të menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura. Sipas VKM-së përkatëse, shpërblimi për lindje fëmije është 40.000 lekë për lindjen e fëmijës së parë; 80.000 lekë për lindjen e fëmijës së dytë dhe 120.000 lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim. Ndërkohë, për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit është 80.000 lekë për secilin fëmijë. Kurse, për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit është 120.000 lekë për secilin fëmijë

Të Fundit