“Pse s’shkova te gjyqi me Bashën?”, Veliaj: S’kam kohë të merrem me vilat e tij

Nga Kombinati, ku përuroi qendrën e re komunitare kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka folur për gjyqin në GJKKO me kreun e PD, Lulzim Basha dhe faktin se pse nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

Kryebashkiaku tha se teksa halli i vetëm i Bashës është që të sqarojë në gjyq nëse ka katër apo pesë vila, dhe se si vetë nuk ka kohë për të humbur.

“Përpara se të flisja më shkroi një gazetar e më pyeti: Nuk je te ky gjyqi për vilat e katërta dhe të pesta të Lul Bashës? I thashë: Nuk kam kohë unë për këtë punë. Unë dhe Beni merremi të bëjmë shtëpitë për njerëzit. Se ka katër apo ka pesë Lul Basha të shkojë ta sqarojë në gjykatë se nuk kemi kohë për të humbur. Këta kanë vetëm hallin e tyre. Luli u çua sot dhe e vetmja gjë që kishte në axhendë është të sqarojë në gjykatë ka katër apo pesë vila. Për këtë jemi në gjyq. Shih çfarë hallesh kanë këta. Këta zihen për foltoren, për sondazhe se kë mbështesin më shumë, Saliun e lodhur apo Lulin e përgjumur? Këta nuk kanë lidhje fare me realitetin tonë. Këta për kalamajtë tanë nuk duan t’ia dinë. Këta nuk dua t’ia dinë fare, sepse e kishin këtë bashki, e kishin këtë qendër dhe nuk u dukën njëherë”, tha Veliaj.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme për seancën e padisë së bërë kundrejt kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Burime për Opinion.al  bëjnë me dije se pas ndryshimit të gjyqtares që kishte në dorë padinë penale të Bashës ndaj Veliaj, kreu i PD-së  ka shkuar në seancë për të shmangur pezullimin e çështjes, për të çuar kështu deri në fund përballjen me Erion Veliaj, të cilin e akuzon për shpifje.

Të Fundit