“Prokurorët e gjyqtarët janë njerëzit më të paguar”, Xhafaj: Është koha që …

Teksa pritet sot votimi i buxhetit për vitin 2022 , deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj në fjalën e tij në Kuvend është ndalur tek institucionet e drejtësisë.

Xhafaj një nga hartuesit e Reformës në Drejtësi, tha se lajm i mirë është rritja e buxhetit për SPAK por theksoi gjithashtu se njerëzit e drejtësisë sot gjyqtarët dhe prokurorët janë më të paguarit, para që dalin nga taksat e qytetarëve që ende kanë besim në sistemin e drejtësisë.

‘Buxheti do ti japë një shtytje zhvillimit ekonomik dhe social. Vendimmarrja duhet të jetë gjithë përfshirëse. Lajm shumë i mirë rritja e ndjeshme buxhetit të SPAK. Le të shpresojmë të shohim rezultate më të mira, se ato që kemi parë deri tani në drejtësi. Buxhetimi për institucionet e drejtësisë nuk mund të jetë i ngjashëm me institucionet në varësi të egzekutivit.

E papranueshme që kur kanë kaluar 2 vite që nga fillimi punës së SPAK, flitet për mungesë zyrash për prokurorët dhe hetuesit e BKH-së. Ende nuk ka një përllogaritje në buxhet me ndryshimin e hartës gjyqësore. Nuk ka asnjë angazhim për rritjen e studentëve në shkollën e magjistraturës. Mjediset aktuale në Gjykatën e Lartë janë në gjendje të mjerueshme dhe nuk po gjenden fonde për ndërtimin e një gjykate të re. Nuk duhet të mos shohim edhe anën tjetër, përgjegjshmërinë e vet institucioneve për buxhetin. Besoj se para së gjithash duhet të ndryshojë politikbërja për menaxhimin e buxhetit të këtyre institucioneve.

Njerëzit e drejtësisë janë sot njerëzit më të paguar në vend. Nuk janë dhuratë e askujt, janë investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi që ende kanë besim në sistemin e drejtësisë. Koha të veproni e justifikoni besimin e marrë. Koha për të kthyer drejtësinë e munguar për të bërë drejtësi për barazi para ligjit.’- tha Xhafaj.

Të Fundit