Projekti i “Qukës Qafë Pllocë”, qytetari ankohet për dëmin e shpronësimin 14 qershor 2018

Bedri Kreka u ankua në emisionin “Stop” për projektin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë në Pogradec, e cila cënon pronën e të vëllait, Enver Krekës. Ky i fundit ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e ëma e tyre, Drita Kreka jeton e vetme në këtë shtëpinë.

“Kjo është shtëpia më e afërt në këtë segment rruge. Për këtë pasuri disponojmë 300 metra katrorë truall dhe shtëpi 80 metra katrorë. Kjo është certifikata e pronësisë që ka vëllai. Ka ardhur njoftimi që shtëpia do të shpronësohet, por jo vetëm që nuk është shpronësuar, por edhe na është dëmtuar banesa!”, tregoi denoncuesi.

Sipas tij, për shkak të një shpërthimi gjatë punimeve të rrugës, në datën 26 Maj të këtij viti shtëpia ka pësuar shumë dëmtime.

“Ky është guri që ka rënë nga lart, fatmirësisht nëna ishte nga dhoma tjetër. Edhe këtu e njëjta gjë, çarje e tavaneve, që po të bjerë shi, futet i gjithë brenda. Nga shpërthimi aq shumë është tronditur shtëpia sa dhe sahati është varur”, u shpreh Bedri Keka.

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë është i gjatë 40 km dhe përbëhet nga tre lote, ndaj dhe vlera e këtij projekti ka arritur vlerën e 38 milionë Dollarëve. Por edhe pse punimet kanë nisur 10 vjet më parë, sot ende nuk kanë përfunduar.

E vetmja banore e kësaj shtëpie, Drita rrëfeu sesi i përjetoi momentet e shpërthimit. Ajo madje pas kësaj ndodhie është larguar fare nga banesa, pasi është e pamundur të qëndrojë aq pranë punimeve.

“Kërkojmë të bëhen shpronësimet sepse këtu nuk rrihet më! E kemi afër, në ‘rrëzë të veshit’!”, tha e shqetësuar 74-vjeçarja.

Nga ana tjetër administratori i firmës nënkontraktore “Albavis Citran”, Artan Pajo u shpreh se banorët janë njoftuar për shpërthimin dhe të dëmtuarit do të dëmshpërblehen nga firma. Ndërsa përsa i takon shpronësimeve, Pejo tha se i takon Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Gazetarja – Në emisionin “Stop” kanë ardhur disa banorë që banojnë në Golik. Si pasojë e këtyre eksplozivëve janë dëmtuar shtëpitë. Juve si firmë nënkontraktore a i keni njoftuar banorët për shpërthimet? Ata nuk kanë patur asnjë njoftim kur ka ndodhur shpërthimi. Ka patur fëmijë, gra dhe një gjyshe ka qenë e vetme në shtëpi dhe është trembur.

Artan Pajo – Odeta, ajo… kanë qenë të lajmëruar. Nuk e di se njerëzit i zmadhojnë gjërat… Domethënë ti merre si të duash! Unë po të flas shoqërore, daç shkruaje, daç bëje si të duash! Njerëzit i zmadhojnë gjërat! Aty ndodhi vërtetë, ndodhi një incident nga shpërthimi. Ne si firmë, kemi marrë masa bashkë me supervizionin, po bëjmë dëmshpërblimin e tyre. Domethënë duke iu riparuar shtëpitë, duke iu dhënë vlera monetare domethënë, sipas rastit, në atë pjesë që ka pasur dëmtime. Në lidhje me shpronësimet, merret ARRSH-ja, domethënë është në proces. Neve thjesht i rikujtojmë për të mos na penguar punimet!

Autoriteti Rrugor Shqiptari i vendosi në dispozicion emisionit “Stop” relacionet për shpronësimet në segmentin Qukës-Qafë Plloçë. Në këtë relacion ishte edhe emri i Enver Krekës për shpronësim banese dhe magazine. ARRSH e ka dorëzuar dosjen pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por tanimë pritet vendimi i Këshillit të Ministrave.

Familjes Kreka dhe banorëve të tjerë, që janë prekur nga ndërtimi i aksit rrugor Qukës-Qafë Pllocë, do t’iu duhet të presin ende…

Të Fundit