Presidente një grua? Lindita Nikolla:Të jetë një figurë e mbështetur nga populli

Socialistët nuk përjashtojnë mundësinë e të vendosurit për herë të një grua në krye të shtetit. Këtë e konfirmon dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në një intervistë për Klan News.

“Nuk përjashtohet të jetë një grua në krye të shtetit. Ajo që është e rëndësishme është të kemi një person me integritet moral dhe professional, dhe të ketë mbështetjen si një figurë politike apo publike nga populli”.

Në rast se Gjykata Kushtetuese shkarkon Presidentin para se t’i mbarojë mandati, Lindita Nikolla do të bëhet e para Presidente grua edhe pse përkohësisht. Por a ka marrë një propozim kryetarja e Kuvendit për të pasur një mandat të plotë në krye të shtetit?

“Jo asnjë propozim, jam duke ushtruar funksionet që më janë besuar si kryetare e Kuvendit. Jam e angazhuar për të përmbushur këtë besim të dhënë nga Partia Socialiste dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë”.

Por para zgjedhjes së Presidentit, shumica socialiste do të ketë një tjetër sfidë, zgjedhjet e pjesshme vendore. Nga 6 bashki pa kryetar, Nikolla tregon se ku e kanë socialistët përballjen më të fortë.

“Ju iu referuat Shkodrës, duke e evidentuar si bastion, patjetër Durrësi i cili është një qytet i madh me shumë kontribute dhe problematika”.

Përveç Lulzim Bashës, shumica socialiste do të ketë kundërshtar në zgjedhje dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha.

“Janë zgjedhje të lira, sa kohë që këto zgjedhje janë sipas ligjit patjetër janë të mirëkuptuar në atë që janë pjesë e konkurencës politike edhe në zgjedhjet lokale”.

Por me kë e kanë betejën?

“KQZ njeh ato parti që njeh dhe gjykata. Sot dhe gjithë ditën është i qartë spektri politik në vend sepse kjo është një normë që vendoset nga Gjykatat”.

Në garën për 6 bashkitë e vendit, Nikolla thotë se një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet flitrit të kandidatëve për të mos pasur një histori të përsëritur me çështjen e dekriminalizimit./Klan News

Të Fundit