”Po shtohet imuniteti natyral”, mjeku: Masat anti-COVID në Shqipëri janë inekzistente

Mjeku epidemiolog, Fabian Cenko u shpreh në Euronews Albania se masat anti-COVID në Shqipëri janë inekzistente.

Mjeku Cenko tha se qytetarët janë duke bërë të njëjtat gjëra si para fillimit të pandemisë dhe se masat nuk po respektohen.

Ai theksoi se në Shqipëri po shtohet imuniteti natyral i qytetarëve ndaj virusit dhe kjo mund të ketë sjellë edhe uljen e numrit të personave të infektuar.

Në Tiranë përqindja e personave që kanë kaluar sëmundjen, në bindjen time ka kaluar 50%”, u shpreh ai.

 Zoti Cenko tregoi edhe dy mënyrat sesi mund të ulet niveli i të infektuarve me COVID-19.“Njëra mënyrë është që ulen mbartësit dhe mënyra e dytë është të vështirësohet transmetimi i virusit. E para, realizohet nëpërmjet një procesi vaksinimi që arrin të prodhojë numra personash të imunizuar që shtohen në popullatë dhe e dyta nëpërmjet masave që pengpojë transmetimin e sëmundjes”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë raportoi një ditë më parë se 4 persona kanë humbur jetën nga COVID-19 në vendin tonë, ndërkohë që janë regjistruar dhe 659 raste të reja të infektuarish.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 392 pacientë, 25 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Të Fundit