Përplasja e Metës tek zyrat e FRD-së, Rama: Ishte një shfaqje klinikisht e rëndë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot përplasjen që ndodhi një ditë më parë mes presidentit Ilir Meta me forcat e Policisë Bashkiake në zyrat e partisë Fryma e Re Demokratike në Tiranë.

Rama u shpreh para gazetarëve se gjithçka ishte një shfaqje klinikisht e rëndë.

“Vaksinën për tërbimin nuk e kemi për fat të keq dhe do të na duhet të bashkëjetojmë në këtë periudhë me një shfaqje tërbimi të kësaj natyre që janë shprehje dëshpërimi. Ajo që ka rëndësi është të mundim armikun e padukshëm, pastaj mundjen e kundërshtarëve të dukshëm e kemi më të lehtë. Më lejoni që mos të bëj asnjë koment, sepse jemi në kushtet e një shfaqjeje që është klinikisht e rëndë dhe që kërkon solidaritet njerëzor më këdo qoftë dhe jo më me dikë që është presidenti i Republikës që ka çrregullime dukshëm të rënda”, u shpreh kreu i qeverisë.

Tensionet në zyrat e FRD-së ndodhën ditën e djeshme, pasi Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit nisën të ekzekutonin një urdhër të Bashkisë Tiranë për lirimin e zyrave të FRD-së.

Menjëherë pasi nisën tensionet, kryetari i FRD-së, Sali Shehu bëri publike një shkresë pa vulë dhe pa firmë, sipas së cilës Bashkia i kërkonte lirimin e mjediseve me arsye “procesin e bashkisë për sistemimin e zyrave për stafin dhe njësitë administrative”.

Kjo mënyrë njoftimi dhe argumentimi nga Bashkia u konsiderua e papranueshme dhe anëtarët e FRD-së e kundërshtuan atë.

Përplasjet përfshinë edhe Presidentin Meta. Ky i fundit i konsideroi urdhrin për lirimin e zyrave të FRD-së dhe përplasjen me policinë si “grusht shteti”, ndërsa kryetari i FRD-së Shehu tha se ka kallëzuar për abuzim me detyrën dhe ushtrim dhune Policinë Bashkiake.

Të Fundit