Përmbytje masive në Gjermani, 42 viktima dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur

Në një rrënojë të madhe është shndërruar qyteza gjermane Shuld, që vuan pasojat më të rënda të një stuhie të tërbuar me reshje të dendura shiu që goditi natën e kaluar rajonet perëndimore të Gjermanisë.

Vala e motit të keq preku 2 rajonet perëndimore të Rajnland Pfalcit dhe Rinit Verior e Vestfalisë, me një bilanc viktimash që po rritet çdo orë dhe që për momentin shënon 42 të vdekur, por që pritet të rritet pasi deri më tani përllogariten rreth 60 të zhdukur.

Shirat e rrëmbyer shkaktuan fryrjen e menjëhershme të lumenjve, që dolën nga shtrati duke marrë përpara automjete e çdo gjë që gjetën përpara.

Niveli i ujit arriti në një lartësi të mjaftueshme për të mbuluar katet e para të shtëpive dhe bizneseve. Autoritetet shpallën gjendjen e katastrofës natyrore, ndërsa ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën për gjetjen e të mbijetuave dhe evakuimin e banorëve të rrezikuar.

Mbi 200 mijë persona janë pa energji elektrike nga dëmtimi i linjave. Kancelarja gjermane Angela Merkel, por edhe kandidati i kristiandemoratëve për kancelar Armin Lashet u shprehën të shokuar nga kjo katastrofë, një tjetër shenjë e pasojave të rënda të ngrohjes globale./Tvklan

Të Fundit