Përmbytja/ Niko Peleshi: Janë vetëm 24 familje të evakuuara dhe katër banesa të përmbytura

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një dalje për mediat lidhur me situatën meteorologjike në vend bëri me dije se po monitorohet pa ndërprerë situata në të gjitha qarqet e vendit, ai theksoi se situata është normale, por në monitorim.

Peleshi: Reshjet e shiut kanë vazhduar me intensitet të ulët gjatë natës dhe ka rënë ndjeshëm sipërfaqja e tokës së mbuluar me ujë në Shkodër.

Aktualisht janë vetëm 26 familje të evakuuara. Në Lezhë ka pasur përmirësim të ndjeshëm dhe ka prani uji vetëm në 4 banesa në 24 që ishin dje. Rrugët në rajonin e veriut janë të kalueshme, me përjashtim të disa segmenteve.

Nuk ka pasur probleme për sa i përket lëvizjeve në akset jugore dhe qendrore. Po punohet dhe po bëhet një kontroll i urave. Ka rënie të ndjeshëm niveli i lumit Drin dhe Bunës.

Në këtë situatë vihet re një rritje e përgjegjshmërisë dhe nivelit të bashkëpunimit me njësitë e pushteti vendor.

Përgjigjja ka qenë e shpejtë dhe ka pasur bashkëpunim të mirë me të gjitha bashkitë pa përjashtim, theksoi ministri.

Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 milionë euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Peleshi: Sipas VKM 414 ky buxhet mund të përdoret për:

1. Shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike.

2.Akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake.

3.Marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike.

4. Shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente.

5.Mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile;

6.Blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor.

7. Mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre.

Forcat e Armatosura, ato Zjarrfikëse, Forcat e Policisë së Shtetit, ekipet e shërbimit mjekësor do të vijojnë të jenë në gatishmëri për të qenë pranë qytetarëve për çdo nevojë.

Të Fundit