“Peng-kryetari të largohet”, Berisha: Është gabim i madh i jetës sime që…

Vendosur për ta larguar nga drejtimi i PD, ish-kryeministri Sali Berisha tha nga Pogradeci, se Lulzim Basha nuk e meriton besimin e demokratëve dhe se duhej të ishte larguar që në vitin 2017.

Berisha e ka cilësuar gabimin jetës që nuk vendosi të garonte për drejtimin e PD që në vitin 2017, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, selia blu do të mund të kishte marrë drejtimin e qeverisë.

 “Kryetari pa parti harroi votën tuaj dhe u mor me karrigen e tij nga frika se mund t’i ikte ajo. Për këtë kemi ndërmarrë këtë proces me demokratët dhe demokratet në mbarë Shqipërinë. Foltorja është shndërruar në një burim shprese dhe kjo është merita juaj. Kryetari pa parti zgjodhi të shkëputet përfundimisht nga ju. Ndërpreu çdo kontakt me ju. Komunikon me katër muret. Nuk njeh ligj dhe as statut. Sillet sikur ka ardhur nga Koreja e Veriut dhe jo si një njeri i shkolluar në një vend perëndimor. Në këto kushte, pas një dhunimi flagrant të statutit, pas shkelmimit flagrant të forumeve të partisë, pas shkëputjes totale të tij nga anëtarësia e partisë, vetëm pse nuk është vetja e tij, në vend të dorëheqjes vazhdon e zbaton urdhra si peng. Njëherë thotë se për mua nuk ka forume e statut, nuk ka kuvend, njëherë tjetër deklaron se kanë ikur kohërat. Po një njeri që nuk ka pasur kohë kurrë, nuk mund të flasë për kohën. Është një gabim i madh i jetës sime që në vitin 2017 kur i kërkova të japë dorëheqjen për humbjen poshtëruese, unë duhet të dilja në garë dhe të shpëtoja PD-në nga një njeri që nuk e meritoi kurrë drejtimin e saj. Kjo nuk është një nismë për interesa personale dhe ata që besojnë një gjë të tillë mashtrojnë veten. Kjo është betejë për mbrojtjen e statutit. Nëse nuk e mbroj statutin kur ai thyhet në mënyrë flagrante, kush mund ta mbrojë tjetër? Nëse nuk mbroj unë forumet, kush mund t’i mbrojë tjetër? Nëse nuk mbroj votën tuaj, kush duhet ta mbrojë atë?” tha Berisha.

Të Fundit