Pandemia, Komiteti Teknik vendos vijimin ”pa afat” të të njëjtave masa kufizuese – Stop
Lajme, Të Gjitha

Pandemia, Komiteti Teknik vendos vijimin ”pa afat” të të njëjtave masa kufizuese

Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë vendosi pas mbledhjes së zhvilluar sot që të vijojë me të njëjtat masa kufizuese të vendosura tre javë më parë.

Ekspertët kanë gjykuar se “masat mesatare” të kufizimit kanë dhënë efekte për të frenuar përhapjen e infeksionit dhe për këtë do të vijohet të mbeten në fuqi “pa afat” masat e kufizimit të lëvizjes dhe aktiviteteve të bareve dhe restoranteve në fashon e orës 22:00-06:00.

Gjithashtu do të vijohet të mos lejohen tubimet politike, konferencat, grumbullimet me më shumë se dhjetë persona, festimet familjare si datëlindje apo dasma, apo dhe ceremonitë mortore, ndërkohë që mësimi në universitete do të vijojë online.

“Vendi po vijon me intensitet të lartë të infeksionit, incidenca mbetet e lartë ajo ka shkuar në 347 raste për 100 mijë banorë. Javën e fundit është vënë re prirje në ulje dhe kjo është reflektuar me 1.1 herë më pak se javën paraardhëse. Duhet theksuar se qarku i Tiranës, Gjirokastrës dhe Lezhës janë më problematikët, masat kanë treguar një farë ndikimi,” – u shpreh ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini.

Gjatë konferencës për shtyp, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, hodhi poshtë pretendimet kinse Komiteti Teknik i ka kërkuar qeverisë mbylljen e përgjithshme për fundjavën.

Ajo tha se nuk është diskutuar dhe as propozuar diçka e tillë. Rakacolli siguroi se momentalisht të gjitha aspektet e pandemisë po mbahen nën monitorim dhe nëse do të ketë përkeqësim të mëtejshëm të situatës, masat do të rishikohen.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *