Operatorët e transportit kërkojnë rritje të biletës së autobusit në 80 Lekë

Unioni i Transportit Urban kërkon që çmimi i biletës për urbanët në Tiranë të rritet në 80 lekë. Kjo kërkesë e tyre vjen si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, për të cilën, operatorët thonë se ndikon drejtpërdrejt në shërbimin që ata ofrojnë.

“Operatorët nuk janë në gjendje të operojnë me 100% të kapacitet. Secili operator ka vendosur së paku me atë  fuqi që ka me 20, 30, 70% të flotës së mjeteve të lëvizë, por siç e shohim sot, stacionet janë plot me njerëz që edhe nafta dje na erdhi njoftimi që në pikat e furnizimit do jetë diku tek 220 lekë për litër me shumicë. Kjo ishte e frikshme sepse asnjë nga operatorët nuk ka kapacitet financiar, që të vazhdojë operimin me kapacitet të plotë dhe ndërkohë t’u shërbejë qytetarëve.  Nëse vazhdojmë kështu kapitullimi i transportit do të jetë për 3-4 ditë maksimalisht. Siç e pamë edhe operatori më i madh i transportit publik i cili është me subvencion nga shteti, hekurudha shqiptare ndërpreu shërbimin për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Ne jemi të varur drejtpërdrejtë nga ky çmim i rritjes së naftës dhe duke patur një heshtje totale nga instancat përgjegjëse ne konkretizuam pikat se çfarë na duhet që të shpëtojmë nga kjo situatë e vështirë ekonomike. Ajo që u vendos të kërkohet më parë dhe më emergjente, më e rëndësishmja është rritja e çmimit të biletës. Kjo se për shkak do të jepte mundësi që të kishim transport publik në Republikën e Shqipërisë. Duke parë se çdo çmim tjetër i shportës është rritur… Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë, këtë rritje të çmimit të pakufishëm të naftës është llogaritur nga ekspertët tanë diku te 80 lekë për biletë një përdorimëshe. Në këtë formë do t’u japim një mundësi transportit që t’u shërbejmë qytetarëve. Pas studimit që ishte bërë kur ka qenë kryetar bashkie Rama dhe Basha çmimi i biletës ishte përllogaritur në 50 lekë për biletë. Nga ajo kohë deri sot, çmimi i naftës është dyfishuar”, u shpreh një operator transporti.

Ndërkohë, një tjetër ka thënë për gazetarët se kjo është zgjidhja e vetme për të shmangur kolapsin e këtyre kompanive. Ai tha se për shkak të rritjes së çmimit të naftës nga dita e sotme çdo operator bazohet në mundësitë e veta dhe ka nxjerrë në terren atë pjesë të flotës bazuar në punën dhe të ardhurat që ka.

“Rritja vjen në vijim të mungesës së plotë nga organet përgjegjëse të një ndihme konkrete. Deri më sot nuk e kishim kërkuar rritjen e çmimit të biletës, por sot është zgjidhja për shmangur kolapsin. Kjo është zgjidhja e fundit sepse nuk ka mbetur gjë tjetër. Ne nuk mund ta rrisim dot vetë biletën. Nga sot çdo operator bazohet në mundësitë e veta dhe ka vendosur që të reduktojë flotën bazuar në punën dhe të ardhurat që ka. Nëse çmimi nuk do rritet, nëse ndihma nuk do të ketë do të shkojmë drejt mbylljes totale të shërbimit sepse është e pamundur për të operuar”, tha përfaqësuesi./tvklan

Të Fundit