Oferta e Rusisë për vaksinën anti-COVID, Rama: Mendova se ishte meme, një provokim

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur ofertën e ambasadës ruse për vaksinën anti-COVID “Sputnik V” si një provokim qesharak dhe theksoi se fillimisht kishte menduar se reagimi ishte një meme.

“Kam menduar që ka qenë një meme, ajo që pashë që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter i Endri Fugës, retweet të Ursula Von Del Leyen. Për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla dhe kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është provokim qesharak, dhe nuk është mirë që një vend serioz si Rusia të bëhet qesharake përmes këtyre lloj postimeve dhe një ambasadë si ajo ruse, që është një ambasadë e rëndësishme që të sillet sikur është një seksion i Portokallisë, apo një konkurrent i Portokallisë. Shpreh keqardhje për këtë”, u shpreh Rama.

Një ditë më parë ambasada ruse në Tiranë i bëri me dije qeverisë shqiptare se është e gatshme të negociojë për t’i garantuar Shqipërisë vaksinën kundër COVID-19.

Reagimi i ambasadës erdhi pas kritikave të Drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, i cili dy ditë më parë shprehu rezerva për Komisionin Evropian se ka lënë pas dorë vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i takon vaksinës anti-COVID.

Të Fundit