“Nuk kam nga shkoj” Banorët e Rinasit sërish në protestë. Fëmijët bojkotojnë mësimin

Për të tretën ditë radhazi banorët e Rinasit kanë dalë në protestë, kundër vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që e devijon lëvizjen drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke e bërë me një sens lëvizjeje. Ata kërkojnë njëzëri që rruga të kthehet me dy sense lëvizje.

Protestës sot i jane bashkuar edhe femijet, te cilet nuk kane shkuar dot ne shkolle dhe u jane bashkuar prinderve per te kerkuar kthimin e rruges me dy sense si me pare.

“Kjo është mos me t’lon me shku te shpia. Është rast unik, jam 50 vjeç e se kam dëgjuar ndonjëherë këtë. ARRSH s’ka pyetur asnjë para vendimit, jemi zgjuar në mëngjes dhe kemi parë tabelat bllokuese. Kemi protestuar në qendër më parë, sot kemi dalë tek rrethrrotullimi dhe do qëndrojmë çdo ditë këtu sepse s’kemi çfarë bëjmë. ARRSH nuk ka pasur asnjë reagim”, shprehet qytetari.

“Nuk kemi pasur komunikim me zyrtarët, por kemi ndjek mediat, dhe një version që drejtori i ARRSH foli për rrugë alternative, ne do ta shohim atë mundësi, por ne nuk kemi si të hyjmë me atë lloj rruge, ajo nuk është zgjidhje. Këtu penalizohen jo vetëm tre fshatra, por dhe gjithë qytetarët e veriut që i drejtohen aeroportit. Ne nuk shkojmë dot te toklat tona bujqësore, nuk çojmë dot fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot në qendrat shëndetësore”, shprehet kryeplaku i zonës.

Të Fundit