“Nuk dinë teorinë” Ngelin të gjithë shoferët që futen në ritestim

Mungesë të theksuar të njohurive teorike

Të gjithë shoferët që për shkelje të ndryshme kanë humbur të gjitha pikët nga leja e drejtimit do të duhet ta bëjnë kursin e patentës nga e para dhe të japin sërish provimet në teori dhe praktikë.

Këtë të enjte Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit dhe Transportit Rrugor ka marrë në testim kontigjentin e parë të shoferëve problematik.

Dhe rezultati i këtij testimi ka qenë vërtetë shqetësues. Nga 6 drejtues mjetesh që janë ritestuar, në teori kanë ngelur të gjithë, çka i ridërgon ata nga e para në autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor.

Drejtoria e Transportit Rrugor thotë se humbësit e të gjitha pikëve të lejes së drejtimit të cilët i nënshtrohen ritestimit përfshijnë rastet më të rënda të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor si: përdorimi i alkoolit ose i lëndëve narkotike gjatë drejtimit të mjetit, kalimi i semaforit me të kuqe, thyerje e normave të shpejtësisë, parakalime të gabuara e të rrezikshme që kërcënojnë jetën e përdoruesve të rrugës.

Ndaj autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do të humbin të gjitha pikët, do të rikthehen në autoshkollë dhe do ta rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalohet testi i praktikës!/TvKlan

Të Fundit