Nis vaksinimi kundër gripit i mësuesve dhe edukatorëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Ministrja e Arsimit, ndjekin nga afër nisjen e procesit në shkollën “

Autoritetet shëndetësore njoftuan të enjten për nisjen e procesit të vaksinimit për gripin e zakonshëm të arsimtarëve dhe edukatorëve.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ajo e Arsimit, Evis Kushi, ndoqën nga afër nisjen e procesit në shkollën “1 Qershori” në Tiranë.

Manastirliu u shpreh se vaksinimi ndaj gripit të zakonshëm do të vijojë “në mënyrë kapilare” në të gjitha shkollat dhe kopshtet e vendit.

“Kategoria e mësuesve, e edukatorëve është një prioritet për ne. Pas edukatoreve të kopshteve dhe çerdheve, vijojmë me vaksinimin në mënyrë kapilare për arsimtarët në të gjithë vendin. Ky proces i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit dhjetor,” – tha ministrja e Shëndetësisë.

Vaksina kundër gripit pritet të kryhet edhe për kategoritë e tjera të riskut. Ministrja e Shëndetësisë ftoi qytetarët të paraqiten pranë qendrave shëndetësore për të kryer vaksinat.

“Gjithë muaji dhjetor do të jetë i dedikuar programit të vaksinimit ndaj gripit dhe padyshim që është një ftesë e përhershme për të gjithë qytetarët, sidomos për ata të cilët janë grupe të riskuara, për gjyshërit, për ata të cilët janë me sëmundje kronike dhe sigurisht për nënat, për një thirrje për vaksinimin e fëmijëve 0-5 vjeç,” – tha Manastirliu.

Ndërkohë ministrja e Arsimit, Kushi, e konsideroi vaksinimin të ardhur “në kohën e duhur”.  Ajo tha se vaksinimi në vendin e punës “lehtëson sistemin shëndetësor” që po përballet me flukse të shtuara njerëzish dhe pacientësh.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se për periudhën vjeshtë-dimër ka siguruar 4 herë më shumë doza të vaksinës anti-grip.

Sipas parashikimeve të autoriteteve shëndetësore janë rreth 368 mijë qytetarë – personel shëndetësor, gra shtatzëna, të moshuar, fëmijë dhe persona me sëmundje kronike – që pritet të përfitojnë.

Vaksinimi kundër gripit të zakonshëm mendohet se mund të shmangë ndërlikimet në rast se personat e rrezikuar preken edhe nga COVID-19.

Të Fundit