Niko Peleshi nga Korça: Pas 25 prillit, LSI do të shkrihet si dëbora

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në Korçë, Niko Peleshi, gjatë një takimi të zhvilluar më banorë atje, premtoi se në katër vitet e ardhshme të mandatit të tretë, PS do të marrë një projekt madhor të ngrohjes me gaz të qytetit.

Për Peleshin, prioritet i mandatit do të jetë rritja ekonomike, punësimi i të rinjve dhe veçanërisht bashkëpunimi me gazsjellësin TAP për shtrirjen e linjave të gazit në çdo banesë.

“Mos bini pre e atyre që për një grusht votash janë gati të mbledhin njerëzit bashkë duke krijuar vatër infeksioni masiv. Një parti që lind nga pakënaqësia nuk mund të jetë partia e së ardhmes sonë. Kemi hapur qendrën e Inovacionit për të rinjtë që do të jetë në këtë katër vjeçar puna me të cilën do të merremi. Do të hapim mundësi për mijëra të rinj për t’u punësuar.

Tani ka ardhur radha e investimeve të mëdha. Ka ardhur radha që të jetësojmë ambicie që ka lidhje jo vetëm me kushtet e banimit dhe jetesës por edhe me ekonominë e qytetit sepse është kursim. Dhe këtu e kam fjalën për ngrohjen. Po punojmë me bashkinë, me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me Bankën Europiane për Zhvillim për projektin e ngrohjes me gaz të qytetit.

Falë gazsjellësit TAP që kalon në Korçë ne na duhet të bëjmë projektin, të shtrijmë linjat dhe ta përdorim atë për ngrohje dhe gatim duke i ulur shumëfish shpenzimet e çdo familjeje. Ky është projekti që do të punojmë intensivisht në këto katër vite.”

Po ashtu, ai nuk hezitoi të sulmojë edhe LSI-në, për të cilën tha se do të shkrihet pas datës 25 prill.

“Ata të tjerët nuk e kanë mendjen të mendojnë kështu, për të mos folur për atë partinë tjetër e cila pas datës 25 prill do të fillojë të shkrijë si bora pasi është parti pa bosht, pa shtyllë kurizore.

Është një parti pa ofertë, e kam fjalën për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një parti që peshkon vota duke blerë varfërinë e njerëzve.

Tani kanë shkuar për fundi. Pas datës 25 prill nuk do të ekzistojnë më si parti dhe kjo është arsyeja pse ai personazhi qesharak i tyre del dhe akuzon si i çmendur njerëzit që punojnë me ne, ditën jo natën si ata.”

Të Fundit