Ngrohja globale sjell specie të reja peshku në ujërat e bregdetit shqiptar

Beniamini, i cili punon si magazine në portin e peshkimit në Durrës, ka vënë re prej kohësh se gjatë gjuetisë, në rrjeta bien mjaft peshq, të cilët para disa vitesh nuk njiheshin thuajse fare.

“Nga ana tjetër, mjaft nga speciet e bregdetit tonë kanë nisur të mungojnë – tha Beniamini për BIRN, ndërsa shtoi se klientët tanë si restorante apo resorte e konsiderojnë këtë si një dukuri negative”.

Duke sjellë si shembull karkalecin e detit, ai shtoi se “tashmë afro 80 përqind të sasisë së peshkuar i takojnë karkalecëve “të huaj”, që kanë mbërritur vonë në ujrat tona, ndërsa karkaleci “vendas” ka mbetur vetëm 20 përqind”.

Specialistët, që janë në kontakt të vazhdueshëm me peshkatarët thonë se ky fenomen lidhet kryesisht me ngrohjen globale, por jo pak edhe me kripshmërinë e ujrave tona detare që arrin në 36-37 për mijë.

“Vitet e fundit temperatura e ujrave në brigjet e vendit tonë është rritur me 1,5 gradë celsius,” tha për BIRN biologu detar Nasho Huta.

Sipas Hutës, speciet e panjohura më parë mbërrijnë nëpërmjet rrymave detare, përmes ngushticës së Gjiblartarit dhe kanalit të Suezit.

Peshkatarët vlerësojnë se nummri i specieve të reja arrin në afro 100.

“Kjo ka sjellë ndryshimin e strukturës autoktone të faunës sonë,” vlerëson biologu durrsak, duke shtuar se ato po zëvëndësohen nga specie të tjera.

Po çfarë po ndodh me rezervën peshkore të brigjeve tona nga Butrinti deri në Velipojë?

Duke folur për tre llojet e karkalecit që mbërrijnë nga zona e indo-paqësorit përmes kanalit të Suezit, biologu Nasho Huta, thotë se në këtë rast parashikimi është mjaft pozitiv.

“Sasia së karkalecit brenda një 10-vjeçari pritet të 3-fishohet,” shprehet Nasho Huta, i cili shton se i njejti fenomen po ndodh edhe në vende të tjera të Mesdheut si në Tunizi apo në Turqi.

Numri i madh i lumenjve që derdhen në bregdetin shqiptar, dhe grykëderdhjet e tyre ku nuk mungon ushqimi, e kanë rritur numrin e specieve detare në brigjet tona.

Sipas specialistit, kjo situatë e re e specieve dhe e rezervës peshkore kërkon rishikimin e politikave të peshkimit dhe të mbrojtjes së faunës dhe florës detare.

“Ne po kërkojmë zgjidhje rajonale, lidhur me problematikat e krijuara vitet e fundit në florën dhe faunën detare,” tha për BIRN dr. Enkelejda Buda, e cila drejton Laboratorin e Akuakulturës dhe Peshkimit në Durrës.

Shqetësimi i specialistëve të rajonit kohët e fundit është përkthyer në projekte, që synojnë krijimin e një database të saktë të specieve detare që kanë mbërritur në ujrat e Mesdheut, dhe veçanërisht në detet Adriatik dhe Jon.

“Projekti që po zbatojmë aktualisht nën drejtimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës ka si qëllim njohjen e situatës, çka do të sjellë edhe sugjerimet përkatëse dhe hartimin e politikave të reja nga ana e Ministrisë së Bujqësisë,” tha më tej dr. Buda.

Megjithëse me një numër të kufiizuar specialistësh, Laboratori i Durrësit po mban kontakte të rregulllta me peshkatarët.

“Këta të fundit shqetësohen veçanërisht për rritjen e pranisë së gaforres blu, e cila dëmton rëndë rrjetat e peshkimit,” tha Buda, duke nënvizuar edhe dëmin që ajo i shkakton florën dhe faunës bregdetare në përgjithësi.

Në një nga restorantet e shëtitores bregdetare, drejtuesi i tij Agron Braho thotë për BIRN se klientët po mësohen me ndryshimet e specieve që ne gatuajmë dhe u ofrojmë.

“Ata i ndjejnë ndryshimet dhe ne flasim me ta, sipas njohurive që kemi,” tha Braho.

Ai thotë se nuk e shpjegon dot faktin që në stinën e verës është e vështirë të gjesh barbun apo merluc, peshq që fillojnë të shfaqen përsëri në tavolina në shtator e më tej.

“Tregtarët e peshkut tani sjellin ton pendverdhë, krejt i panjohur disa vite më parë dhe që arrin deri në 80 kg peshë,” tha Agroni, duke kujtuar edhe zëvëndësimin e karkalecit të zakonshëm apo tiger siç njihet, me karkalecin e kuq, që vjen në brigjet e Durrësit nga Turqia.

Peshkatarët kujdesen më shumë për anën ekonomike, edhe atëhere kur rritet sasia e peshkut dhe kur për pasojë ulet çmimi i peshkut.

Biologu Nasho Huta më kujton evolucionin darvinist: Sipas seleksionimit natyror, specia më e fortë eliminon më të dobtën.

“Gaforrja blu, që ka mbërritur nnga ujrat pranë Karaibeve dhe Meksikës do të jetë specie dominuese edhe dhjetë vjet të tjera,” tha me bindje biologu Huta, duke sjellë në vemendje edhe peshkun sharrë, një lloj levreku i egër, i pranishëm në ujrat tona gjatë viteve të fundit.

“Institucionet tona duhet të kujdesen më shumë për njohjen e situatës detare dhe për hartimin e politikave të reja për florën dhe faunën detare,” përfundoi biologu me përvojë 50-vjeçare Nasho Huta./BIRN

Të Fundit