Mjekët në Poloni: Aborti i ligjshëm nëse kryhet për të shpëtuar jetën e nënës.

Ministria e Shëndetësisë në Poloni deklaroi të dielën se është e ligjshme të ndërpritet shtatzënia kur shëndeti ose jeta e gruas është në rrezik.

Udhëzimi erdhi pas një situate të ndërlikuar mbi kufizimin e ligjit të abortit në vend.

Dokumenti drejtuar mjekëve obstetër vjen si reagim ndaj vdekjes në spital të një nëne 30-vjeçare, shtatzënia 22-javore e së cilës kishte probleme mjekësore.

Gruaja vdiq në shtator por vdekja e saj u bë e njohur gjerësisht këtë muaj. Mjekët në spitalin në Pszczyna, në Poloninë jugore, nuk e ndërprenë shtatzaninë, pavarësisht faktit se fetusit i mungonte mjaftueshëm lëngu amniotik për të mbijetuar, thanë familja e saj dhe një avokat.

Mjekët janë pezulluar dhe prokurorët po hetojnë.

Polakët e zemëruar mbajtën protesta masive mbarëkombëtare gjatë fundjavës, duke fajësuar për vdekjen e gruas ligjin kufizues të Polonisë për abortin.

“Duhet theksuar qartë se mjekët nuk duhet të kenë frikë të marrin vendime evidente që rrjedhin nga përvoja e tyre dhe njohuritë mjekësore në dispozicion,” – deklaroi ministria.

Deri një vit më parë, gratë në Poloni mund të bënin abort në tre raste, nëse shtatzënia rezultonte nga një krim si përdhunimi, nëse shëndeti ose jeta e gruas ishte në rrezik, ose në rast të defekteve të pariparueshme të fetusit.

Mundësia e fundit u eliminua një vit më parë.

Të Fundit