Ministri Lleshaj: “Po lirohen nga burgu të dënuar me rrezikshmëri të lartë”

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka pranuar nga foltorja e Kuvendit se ndodhemi në një situatë emergjente pasi po lirohen nga burgu të dënuar me rrezikshmëri të lartë.

Ai shprehet se fakti që në Shqipëri pas zbatimit të Reformës në Drejtësi po lirohen të dënuar me rrezikshmëri kriminale është një situatë emergjente.

“Është konstatuar dhe është provuar nevoja e emergjencës se me fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi u krijua një situatë se shumë gjyqtarë dhe prokurorë panë se shanset për të kaluar vettingun nuk janë të larta. Ky parashikim aspak optimist për ata gjyqtarë dhe prokurorë që mbajnë përgjegjësi të mëdhaja për mos funksionimin e sistemit të drejtësisë i ka bërë ata të kenë të qartë fundin. Ndërkohë u ka dhënë një mundësi që kohën e mbetur ta shfrytëzojnë për të bërë ato gjëra që kanë bërë pa përtesë dhe papërgjegjshmëri që kanë bërë gjatë viteve të kaluara. Përmes vendimeve krejtësisht të pakuptueshme, pa përgjegjshme dhe të papranueshme është mundësuar sidomos vitin e fundit dhënia e vendimeve që janë jo vetëm përtej ligjit, por edhe përtej logjikës. Mbi 28 vendime të kësaj natyre janë regjistruar nga strukturat e policisë që provojnë këtë situatë të papranueshme. Përmes këtyre vendimeve, po lirohen elementë me rrezikshmëri të lartë kriminale, që sipas llogarive të policisë duhet të ishin në burg. Këta persona që janë liruar në mënyrë të paarsyetuar bëhen pjesë e skemës kriminale duke qenë në të njëjtën kohë në posedim të aseteve shumë të mëdha kriminale. Në këtë mënyrë kontribuojnë në rritjen e kriminalitetit në vend, në frenimin e reformave dhe ne rritjen e risqeve që ndikojnë në sigurinë e vendit. Për këtë arsye ne besojmë se kemi një situatë emergjence që duhet adresuar në kushte emergjence përmes një akti normative”, u shpreh Lleshaj nha foltorja e Kuvendit.

Të Fundit