Mina me telekomandë, tritol dhe arsenal armësh, Policia: Po bëhej gati ekzekutimi i disa personave

Zbulohet në Elbasan një sasi e konsiderueshme eksplozivi dhe arsenali armësh, duke vënë në pranga dy persona.

Drejtori i Policisë Elbasan Ardian Çipa dhe prokurori i Prokurorisë së Elbasanit Kreshnik Ajazi, në një konferencë për mediat njoftuan operacionin dhe arrestimin e dy personave, të cilët dyshohet se janë paguar për kryerjen e disa ekzekutimeve.

Në këtë kuadër, mbështetur dhe me inteligjencë informative të siguruar në kohë reale nga ana e strukturave të Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke koordinuar veprimet dhe hetimet me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me qëllim parandalimin e një ngjarjeve të mundshme kriminale me pasoja të rënda për jetën, më datë 20.10.2022 është finalizuar operacioni policor i koduar “Prevention”.

Falë marrjes në kohë të informacionit, koordinimit me Prokurorinë dhe Gjykatën, si dhe veprimeve operacionale, hetimore e procedurale të autorizuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në një banesë, në lagjen “Gurabardhi”, të qytetit të Elbasanit, i një arsenali armësh zjarri, disa prej tyre të pajisura me silenciatorë, gati për veprim.

Konkretisht, në banesën e shtetasit Luis Gaxhi, u gjetën:

-4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë;

-3 pistoleta me silenciatorë;

-2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare;

-Kapsolla detonatore;

-Një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”;

-4 aparate celulare;

-Sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindshpues.

Si rezultat i hetimeve paraprake dhe dyshimeve të bazuara në prova, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Luis Gaxhi, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë;

Ky shtetas u arrestua për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” , “Mbajtja dhe prodhimi i armëve luftarake në sasi të mëdha” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

-Rigers Spahiu, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, për veprat “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ky shtetas dyshohet si bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të shtetasit Luis Gaxhi.

Në momentin e gjetjes dhe sekuestrimit të provave materiale dhe veprimeve të tjera hetimore e proceduriale, skuadrat xheniere të Njësisë Antieksploziv të Repartit Special RENEA, kanë bërë të mundur çaktivizimin e minave të telekomanduara, të cilat paraqisnin rrezikshmëri për jetën e banorëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

Referuar hetimeve proaktive te kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ekzistojnë indicie të bazuara në prova, se armët dhe minat e telekomanduara do të përdoreshin për ekzekutimin e personave, për llogari të grupeve kriminale të evidentuara nga ana e policisë.

Në deklaratë u tha se për arsye të dobisë së mbarëvajtjes së hetimeve dhe dokumentimit të plotë të veprimtarisë kriminale, do tregohen të rezervuar në dhënien e informacioneve të mëtejshme.

Ndër të tjera u kujtua Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë, gjatë operacionit të koduar “Dëshiran” që u finalizua 1 javë më parë, sekuestroi një tjetër arsenal armësh zjarri: një kallashnikov, pistoletë, granata dore dhe municion luftarak, të cilat, bazuar në inteligjencë informative, dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale.

Të Fundit