Mediat serbe: Berisha me ndihmën e Haradinaj po përgatit protesta për vizitën e Vuçiç në Tiranë

Vizita e presidentit serb Aleksander Vuçiç të hënën në Tiranë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, do të pritet me protesta.

Në faqen e parë të gazetës së sotme serbe “Novosti” bëhet e ditur se “ekstremistët shqiptar me ndihmën e pakursyeshme të politikanëve nga Kosova, po përgatisin të hënën dhe të martën protesta kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili ato ditë do të jetë në Tiranë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Burimet e mirëinformuar pohojnë se Berisha ka kontaktuar personalisht me Ramush Haradinajn për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në këtë protestë.

Pritet që hyrja të organizohet përmes Morinës, nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në mënyrë që policia të mos i kthejë ata, thotë “Novosti”.

Sipas gazetës serbe, “ekstremistët shqiptarë” protestuan fillimisht kundër presidentit Vuçiç edhe në vitin 2019, kur ai vizitoi Tiranën për të rënë dakord me Edi Ramën për nismën “Ballkani i Hapur”.

Protestat më pas u organizuan zyrtarisht nga partia Vetëvendosje e Kurtit dhe kundërshtarët e mbërritjes së presidentit Vuçiç në tubim mbanin pankarta me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, duke brohoritur “UÇK, UÇK”.

Dje në një letër të hapur për publikun, presidenti serb Vuçiç dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, u bënë thirrje të gjithëve në rajon që t’i bashkohen nismës për Ballkanin e Hapur.

Të Fundit