“Më është prishur makina”,si grabiste 48-vjeçari pronarët e karroatrecave

Një 48-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi akuzohet për veprën penale “Vjedhja me anë të mashtrimit”.

Me pretendimin se i ishte prishur makina dhe nuk kishte para të paguante karroatrecin, 48-vjeçari nga Tropoja kishte vjedhur 6 pronarë të karroatrecëve.

Në pranga ka rënë Luigj Mrishaj, i cili u arrestua dje në flagrancë në qytetin e Durrësit teksa tentoi t’i vidhte 600 mijë lekë të vjetra një 48-vjeçari me iniciale L.M., pronar i një karroatreci.

Ky shtetas realizonte skemën e mashtrimit duke telefonuar pronarët e karrotrecave me pretekstin se kishte automjetin e prishur, më pas i kërkonte para atyre për të paguar servisin dhe pasi i merrte largohej me shpejtësi.

Nga hetimet ka rezultuar se përveç rastit të djeshëm, ka kryer edhe 5 vjedhje me të njëjtën skemë.

Më datë 27 shkurt 2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 600 Euro, shtetasit E. Ç., më datë 18 mars 2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 650 mijë Lekë të vjetra, shtetasit A. P., më datë 18 prill 2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën 800 Euro, shtetasit P. P., më datë 18 korrik 2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën 700 Euro, shtetasit A. G., më datë 21 korrik 2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 500 Euro, shtetasit S. M.;

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Benz” që Luigj Mrishaj e përdorte për t’u larguar pasi merrte paratë e përfituara, të cilin e kishte braktisur në Sukth të Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit