Manastirliu inspekton punimet në Spitalin e Kukësit: Vaksinohen më shumë se 10 mijë mësues”

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar punimet për rindërtimin e Spitalit dhe maternitetit të ri të Kukësit.

“Jam e kënaqur që punimet po ecin me ritme të shpejta. Kemi finalizuar fazën e parë me ndërtimin e farmacisë së spitalit, administratës dhe është duke përfunduar urgjenca e re dhe sallat e kirurgjisë, që do të vihen në funksionim së shpejti dhe ndërkohë presim të finalizojmë projektin e rehabilitimit të plotë të spitalit të Kukësit dhe maternitetit të ri”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se pavarësisht situatës së vështirë të pandemisë, puna për transformimin e sistemit shëndetësor nuk ka ndalur.

“Puna jonë edhe në këtë vit të vështirë të pandemisë nuk ka ndalur për asnjë moment, nuk ka ndalur në drejtim të investimeve tona, të kantierit të shëndetësisë, nga Kukësi, në Lezhë, në Berat, në Durrës, në Tiranë gjithashtu që është kantieri më i madh i transformimit të QSUT-së, por edhe në gjithë spitalet e tjera, sikurse është spitali i ri memorial në Fier, i cili pritet të finalizohet shumë shpejt”, tha Manastirliu.

Nga Kukësi, Ministrja Manastirliu bëri me dije se procesi i vaksinimit antiCOVID po vijon në të gjithë vendin.

“Kemi përfunduar vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe për të siguruar maksimumin e efektivitetit të procesit të vaksinimit dhe mbrojtjen e gjithë personelit tonë shëndetësor po vijon vaksinimi me dozat e dyta. Ndërkaq vijojmë në të gjithë pikat e përqendruara të vaksinimit të vaksinojmë edhe të moshuarit +80 vjeç ku vaksinimi vijojn edhe aty. Arsimtarët gjithashtu po vijojnë procesin e vaksinimit në të gjithë vendin, tashmë janë më shumë se 10 mijë arsimtarë të cilët janë vaksinuar”, tha Manastirliu.

Përveç spitalit dhe maternitetit të ri të Kukësit, aktualisht Ministria e Shëndetësisë po investon në ndërtimin e maternitetit të Beratit, Lezhës, rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’, Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, Pediatrisë në QSUT, etj.

Të Fundit