Makinat e sekuestruara, Veliu: Të kalojnë për skrap!

Janë më shumë se 20 mijë mjete të sekuestruara nga policia në vite të cilat nuk tërhiqen nga pronarët, pjesa më e madhe për faktin se vlera e gjobave të prapambetura e tejkalon vlerën e mjetit. Nisur nga kjo situatë, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu propozon që parlamenti të votojë një amnisti, e cila do të mundësonte edhe çlirimin e oborreve të komisariateve.

“Janë mbi 20 mijë mjete… dhe ne kemi propozuar që të nxjerrin një amnisti për të gjitha mjetet të cilat deri në vitin 2013 janë magazinuar, të kalojnë për skrap”, u shpreh Veliu.

Sipas Veliut, në territoret e administruara nga policia ka edhe mjete të bllokuara prej 25 vitesh, ndërsa kostot vjetore janë kolosale.

“Keni parë që gjithë oborret e drejtorive vendore të policisë janë të tejmbushura me makina. Fatkeqësisht unë si drejtor i përgjithshëm i Policisë konsumoj gati 400 punonjës, të cilët ruajnë këto ambiente apo pika të marra me qira, për të siguruar ruajtjen e tyre”, tha drejtori i policisë.

Të Fundit