“Lirinë dhe demokracinë nuk e kemi fituar përgjithmonë”, Rama: Na takon të luftojmë për to

Kryeministri Edi Rama në një takim me të rinjtë në Lushnje, ka thënë se lira është gjëja më e shtrenjtë. Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ai ka thënë se lirinë dhe demokracinë nuk e kemi fituar gjithmonë, por na takon për të luftuar atë.

Ai tha se situatat e luftës dhe konflikteve ku njeriu dëshiron më së shumti lirinë janë kthyer sërish, edhe pse sipas tij nuk mendohej që do ktheheshim sërish në atë kohë.

“Ndjesia që kam është e çuditshme që ne sot jemi këtu dhe duhet të flasim për një ditë zgjedhjesh normale në një qytet apo disa qytete që përtej të gjithave, bëjnë një jetë normale, ku madje një pjesë e caktuar e njerëzve e konsiderojnë krejt normale të thonë skëterr politika, vota. Ndërkohë që po sot, disa njerëz të tjerë që nuk kanë asgjë ndryshe, asgjë më pak se sa ne dhe që nuk kanë asgjë më shumë se sa ne, deri para disa ditësh janë duke kaluar përmes një ferri të vërtetë duke u ndarë me njëri-tjetrin gratë, vajzat, fëmijët, duke marrë rrugët, trenat për të ikur. Edhe burrat e djemtë duke marrë armët, për të mbrojtur diçka që deri para pak ditësh ngjante siç ngjan sot këtu, diçka për të cilën as mendja nuk ka shkon sepse ngjan diçka e fituar njëherë e përgjithmonë që është liria, demokracia, e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur dhe që është mundësia për të jetuar dhe marrë frymë lirisht, pa qenë i detyruar ti nënshtrohesh dhunës dhe diktatit të askujt tjetër. Në fund të fundit, përtej të gjithë dallimeve nga historia mes nesh edhe atyre që sot prej disa ditësh tanimë janë nën terrorin e bombave, tankeve, terrorin e një sulmi të egër mbi gjithçka që kishin deri dje. Ngjashmëritë janë të mëdha. E nisa për të thënë që jo vetëm ne këtu, por edhe të tjerët në Evropën e zhvilluar prej shumë vitesh e kanë marrë për të mirëqenë gjithçka që kishin dhe ato që kanë ndodhur më parë nuk përsëriten. Ja që përsëriten, ja pra që liria qenka shumë e shtrenjtë edhe sot që flasim. Ja pra që atdheu qenka diçka që duhet ta kesh parasysh se të takon ta mbrosh.

Nga ana tjetër mendoj që ne në këtë situatë nuk duhet të presim që të na ndodhë e njëjta gjë për të qenë më të dobishëm për vendin e komunitetin tonë, për të qenë më të vetëdijshëm për atë që kemi. Ajo që kemi s’është pak. Është e drejta për të votuar, është diçka e madhe dhe siç e shihni sot njerëzit po marrin armët duke sakrifikuar edhe veten e tyre. President i Ukrainës e njoh, është personazh i veçantë, por ja që në kushtet e një sfide kaq të madhe ku jeta e tij është e rrezikuar më shumë se askush tjetër. Ai sot është kthyer në frymëzim për botën. Doja të thosha që kjo e jona është një betejë e përditshme e pa krahasueshme me luftën për ekzistencë realisht të ukrainasve sot. Në luftën për ekzistencë të familjeve të tyre. Nuk është më pak e çmueshme se sa liria e tyre nëse ne mësohemi që ta vlerësojmë e jo ta nëpërkëmbim gjatë gjithë kohës duke e trajtuar si diçka që nuk ka pikën e vlerës, pikërisht sepse ne e kemi. Përfytyroni se sa bashkëmoshatarët tuaj do të donin të ishin në vend tuaj dhe të kishin sa keni ju, mundësinë të uleni të mbledhur bashkë për të ndjekur një takim e për të shkuar të qetë kudo që doni të shkoni. Duhet të kemi fuqinë të vlerësojmë ato që kemi dhe të mos harrojmë se nëse të tjerët kanë sakrifikuar më parë dhe po sakrifikojnë sot për gjërat që kemi, atëherë kësaj gjëje që kemi t’i japim respekt, të mos abuzojmë duke arritur deri në mallkimin e saj. Për t’u kthyer në arsyen se përse jemi kthyer këtu. Sot jemi këtu se në datën 6 kemi zgjedhje në Lushnjë”, tha Rama.

Të Fundit