“Lider s’je dot po bëhu pak burrë”, Basha i përgjigjet Ramës: Burrë nuk të bëjnë banditët me pistoletë në brez, të bën përkushtimi dhe dashuria ndaj vendit

TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili i tha pas incidenteve në Elbasan.

Basha deklaroi gjatë rrugës së kthimit në një lidhje ‘live’ nga makina se burrë nuk të bëjnë banditët me pistoletë në brez por përkushtimi dhe dashuria për vendin, që sipas tij Rama nuk e ka pasur kurrë.

MESAZHI I BASHËS
Të dashur miq ju përshëndes nga rrugëtimi im drejt Tiranës pas një dite të mrekullueshme në qytetin e Elbasanit. Ditën e Verës, ditën e qytetit të Elbasanit për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, një mikpritje e mrekullueshme për të cilën dua t’i falënderoj nga zemra ata mijëra qytetarë elbasanlli, nëna, motra, gra, vajza, burra, të rinj e të reja të qytetit të Elbasanit, këtij qyteti që ka një vend të veçantë në zemrën time dhe që kam pasur mundësinë ta përfaqësoj në parlamentin e Shqipërisë, në ditët kur qeveria dhe parlamenti punonte për njerëzit, kur ndërtuam tunelin e Elbasanit që pak kush e mendonte se do të ndodhte, kur bëmë realitet bashkimin e Tiranës dhe Elbasanit, praktikisht si dy lagje të një qyteti dhe kështu do vazhdojmë të punojmë pas 25 prillit. për të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë.

Sot është një ditë feste, dita e luleve që simbolizojnë thyerjen e dimrit nga pranvera. Një pranverë ndryshimi që po troket në mbarë Shqipërinë dhe zemrat e çdo shqiptari që është lodhur me 8 vite dimër. Dimrin e papunësisë që solli kryeministri në ikje, dimrin e mjerimit ekonomik, të depresionit, të emigracionit, të dhunës, arrogancës, arbitraritetit. 14 marsi na ndan pak nga 25 prilli që do të jetë dita kur shqiptarët të bashkuar do të bëjnë të mundur një ndryshim për jetët e tyre dhe të familjeve të tyre. Ata na kanë thirrur, më kanë thirrur në këtë betejë dhe unë kam nderin ta udhëheq këtë betejë për ndryshim, bashkë me një ekip të mrekullueshëm. Pas 8 vitesh premtimesh boshe dhe dështimesh kemi një plan konkret të hartuar nga mijëra ekspertë, të vendit dhe të huaj që do të bëjnë të mundur realizimin e aspiratës për punësim, për mirëqenie, dhe për jetë dinjitoze në vendin tonë.

Por sot dua të ndaj dhe një mesazh për ngjarjen e shëmtuar që provokoi Edi Rama kur erdhi me banditët me pistoletë në brez se kujtoi se do të frikësonte popullin e Elbasanit dhe do të prishte festën. Nuk ia doli dot, rrugët ishin plot e përplot edhe më plot pas këtij incidenti të shëmtuar që tregoi se njerëzit nuk e kanë më frikë, se janë të vendosur që të mos jenë më peng i bandave me të cilat Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe ka mbajtur pushtetin në Elbasan dhe në qytete të tjera. I ka dalë boja atyre dhe mbi të gjitha shqiptarëve iu ka dalë frika dhe janë me ne bashkë për të sjellë ndryshimin që vendi meriton.

Edi Ramës po i them këto dy fjalë Ditën e Verës.
Burrë nuk të bëjnë banditët me pistoletë në brez pa të cilët nuk hyje dot në qytetin e Elbasanit. Burrë nuk të bëjnë dot banditët të cilëve ju lutesh e përgjërohesh dhe pa të cilët nuk hyn dot në qytetin e Durrësit dhe të Shijakut. Burrë nuk të bëjnë dot banditët e Fushë Krujës që i ke futur në listat e tua, nuk të bëjnë dot burrë ata ty. Burrë të bën përkushtimi ndaj vendit, përkushtim që ti nuk e ke pasur dhe nuk e ke, prandaj ke nevojë njësoj si për morfinën dhe kokainën dhe për banditët që të rrethojnë. Burrë të bën dashuria për vendin që ty të ka munguar çdo çast sepse e ke zhytur vendin dhe qytetarët në mjerim. Burrë të bën përkushtimi për të lënë pas çdo interes personal. Kur ti çdo sekondë në pushtet e ke kaluar për veten tënde dhe miqtë e tu duke braktisur qytetarët. Ndali provokimet ndaj qytetarëve! Të njëjtën përgjigje do marrësh kudo që shkon. Shqipëria e ka ndarë mendjen, nuk ka ndryshim pa largimin tënd. Ndaj mos i provoko shqiptarët, dhe jepi fund kompensimit të frikës që të shoqëron me të drejtë. Nuk na tremb dot ne, nuk tremb dot shqiptarët. Më 25 prill ti largohesh, Shqipëria fiton, shqiptarët fitojnë.
Të dashur shqiptar në grahmat e fundit çdo pushtet i korruptuar përdor frikën, përdor terrorin, por kjo nuk e ndali ndryshimin në 1990 dhe nuk do e ndalë ndryshimin e madh që ju të gjithë prisni dhe meritoni. ky ndryshim po vjen, unë e ndiej dhe e prek kudo ku kam shkuar deri sot. Zotimi im para jush se më 25 prill ne do ta largojmë të keqen, do ta mposhtim të keqen. Gëzuar Ditën e Verës, ditën që paralajmëron ndryshimin e madh. Fitore!

MESAZHI I RAMËS
“Lulzim je bërë një manekin qesharak i pengmarrësve të tu dhe pasi shkon në festën e popullit të Elbasanit me flamuj partie e me një turmë ulëritësash, flet përçart për banda e për kriminelë! Ndahu nga Likja e Saliu, këpute zinxhirin e Monikës, se lider s’je dot po bëhu pak burrë!”, shkruan Rama.

Të Fundit