Largohen me karrocë nga Korea e Veriut, ja çfarë i ndodhi diplomatëve rusë.

Një grup diplomatësh rusë dhe familjet e tyre bënë një dalje të pazakontë nga Koreja e Veriut në një karrocë hekuri të shtyrë me dorë për shkak të masave të rrepta anti-Covid.

Tetë personat udhëtuan me tren dhe autobus përpara se të shtyheshin përtej kufirit rus për rreth 1 km mbi shinat e trenit. Koreja e Veriut ka bllokuar shumicën e transportit të udhëtarëve për të kufizuar përhapjen e virusit. Vendi pohon se nuk ka pasur ndonjë rast të konfirmuar, por vëzhguesit kundërshtojnë këtë pretendim.

Që nga fillimi i vitit të kaluar, trenat dhe vagonët janë ndaluar të hyjnë ose të largohen nga vendi. Shumica e fluturimeve ndërkombëtare të pasagjerëve gjithashtu janë ndaluar. Diplomatëve rusë iu la kështu pak zgjedhje.

“Meqenëse kufijtë janë mbyllur për më shumë se një vit dhe trafiku i udhëtarëve është ndalur, u desh një udhëtim i gjatë dhe i vështirë për të arritur në shtëpi,” tha Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë në një postim në Facebook.

Fotografitë e shpërndara nga Ministria treguan diplomatët në karrocë me valixhet e tyre mes një peizazhi dimëror. Ata gjithashtu u panë duke brohoritur në një video ndërsa kaluan në Rusi.

“Motori” kryesor ishte sekretari i tretë i ambasadës Vladislav Sorokin, i cili shtyu karrocën përtej një ure hekurudhore mbi lumin Tumen në Rusi, tha ministria.

Kjo pasi grupi, i cili përfshinte vajzën tre vjeçare të Sorokin, Varya, kishte udhëtuar 32 orë me tren dhe dy orë me autobus nga Pyongyang për të arritur në kufirin rus.

Zyrtarët e Ministrisë i pritën ata në një stacion në anën ruse dhe grupi më pas udhëtoi me autobus për në aeroportin e Vladivostok.

Të Fundit