Largimi i Çomos, flet Luljeta Bozo: Unë s’kam ndërmend të jap dorëheqjen

Kryesuesja e listës së Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Luljeta Bozo, tha dje se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga mandati i deputetes.

E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, zonja Bozo tha se po pret me padurim që të nisë sesioni i ri legjislativ.

“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen nga mandati i deputetit. Njerëzit kanë shumë dëshirë të merren me thashetheme, mua më shtruan në Sanatorium, më bënë me COVID19, sikur isha duke vdekur etj. Unë shyqyr që nuk kam ‘Facebook’ dhe nuk i marr vesh këto lajme dhe i marr vesh më vonë nga njerëzit dhe shqetësohem më pak. Por, kush nuk ka punë do merret me llafe. Por meqenëse më pyetët nëse do të jap dorëheqjen, po ju them se unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen hë për hë. Unë nuk kam filluar punën ende, si mund të jap dorëheqjen?! Të filloj njëherë punën dhe pastaj shohim…”, tha zonja Bozo për gazetën “Panorama” në një bisedë telefonike.

Ish-pedagogia kërkuese e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila luajti një rol protagonist prej specialisti, duke qetësuar qytetarët për qëndrueshmërinë e godinave pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, tha dje se dorëheqja e koleges së saj, Najada Çomo ishte një vendim personal për të cilin nuk mund të komentonte asgjë.

“Nuk e di, unë dje e mora vesh kur dëgjoja Kryeministrin në “News 24” te fliste në mbledhjen e qeverisë, por unë mendoj se dorëheqja është një vendim personal i gjithkujt. Duhet pyetur i zoti i punës, zonja Çomo për këtë vendim”, tha zonja Bozo.

Si deputetja më e vjetër në moshë në Kuvendin e ri të Shqipërisë, zonja Bozo pritet të hapë seancën e parë plenare të kësaj legjislature.

“Nuk e di, kështu më thonë shumë dashamirës këtu në Vlorë ku jam duke bërë pushime, të njohur më thonë, kur do ta hapësh Parlamentin. Unë ende nuk kam marrë një lajmërim për të shkuar në seancë dhe për të më thënë se unë do jem deputetja që do të hap seancën”, u shpreh zonja Bozo.

DORËHEQJA E ÇOMOS

Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, preferoi të qëndrojë në krye të detyrës, duke refuzuar mandatin e deputetit. Lajmin e ka bërë publik Kryeministri Rama, i cili gjatë fjalës së tij në mbledhjen e fundit të qeverisë tregoi se përse zonja Çomo kishte kërkuar të dorëhiqej nga mandati i deputetit.

“Jam sinqerisht i prekur nga komunikimi me doktoreshë Najada Çomon, e cila u bë simbol i rezistencës së mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë. Ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes së sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, duke e ndierë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, pikërisht në momentin kur varianti ‘Delta’ i virusit nisi të mbushë shtretërit e pavijonit të terapisë intensive. E falënderoj Najadën edhe publikisht, siç bëra edhe personalisht, për këtë shembull kuptimplotë të ndjenjës së lartë të detyrës ndaj atyre më në nevojë se askush tjetër. I them sot një faleminderit shumë të madh, me përulje dhe me gjithë zemër, të gjithë atyre që deri këtu na kanë nxjerrë me kokën lart përballë armikut të padukshëm”, tha Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë.

Të Fundit